Përzgjedhja e editorit Kush është shqiptari që transferoi Luka Jovic te Real Madridi

Kush është shqiptari që transferoi Luka Jovic te Real Madridi

Luka Jovic kompletoi transferimin te Real Madridi, ditën e sotme. Kalimi i testeve mjekësore, prezantimi para mediave, konferenca për shtyp, fjalët e para si lojtar i “mbretërorëve” dhe pastaj një “ekspozitë” në “Santiago Bernabeu” ishin disa nga etapat e kësaj dite të shënuar për 21-vjeçarin. Pritja dhe prezantimi ishte i denjë për një yll, status që e ka merituar në Bundesliga, me Enitracht Frankfurt, deri tani.

Ajo që vlen të spikatet në këtë transferim është edhe “pjesa shqiptare”, së cilës mediat e huaja nuk i janë referuar. Fjala është për menaxherin shqiptar të sulmuesit, Fali Ramadani, që ka marrë pjesë në të gjitha bisedimet mes palëve dhe ka mbyllur marrëveshjen mes lojtarit e të bardhëve.

Ai ka pozuar edhe sot, gjatë prezantimit, bashkë me Jovic e presidentin Florentino Perez, duke pasur në sfond trofetë e shumtë “veshëgjatë” të Real Madridit (Champions-it).

Një goditje e madhe për menaxherin e njohur shqiptar, i cili duket se ka në proces një tjetër operacion të spikatur të kësaj vere; kalimin e Maurizio Sarrit në stolin e Juventusit. Ramadani është menaxheri i trajnerit italian të Chelsea, por edhe i lojtarëve të tjerë me peshë, kryesisht nga Ballkani, si Miralem Pjanic.

Kush është Fali Ramadani

I lindur në 1963 në Tetovë, me prindër shqiptarë, Fali Ramadani jeton në Berlin ku drejton Lian Sports, të cilën e themeloi së bashku me Nicola Damjanac. Sipas The Economist, Lian Sports është agjencia e 12 më e rëndësishme në botë dhe e pesta nga ato të dedikuara vetëm futbollit.

Ata kanë grumbulluar €49 milion euro si paga agjentësh dhe kanë negociuar të paktën kontrata që në total kapin vlerën e €500 milion euro. Janë shumë të kujdesshëm të mos tërheqin vëmendje dhe të qëndrojnë gjithnjë në hije.

Ramadani është fokusuar gjithnjë tek futbollistët serbë, kroatë, boshnjakë dhe malazezë dhe kryesisht ka punuar me Serie A.