Aktualitet Kush i furnizon gazetarët me prova dhe sekrete hetimore?

Kush i furnizon gazetarët me prova dhe sekrete hetimore?

Një analist i njohur, drejtues i një emisioni të shumëndjekur, pa asnjë lloj droje se mos nuk po dëshmon të vërtetën, krejt haptas deklaroi se kjo që po ndodh me Saimir Tahirin është veçse fillimi dhe se ai ka të dhëna që as parlamenti dhe as të tjerët nuk i kanë. Sipas tij, institucione të specializuara ndërkombëtare kanë kontaktuar me njerëz të mediave dhe u afruar të dhëna për atë që do të ndodhë, por që, dhe këtu gjithçka futet rishtas në sindromin “sikur”, nuk dihet se ndaj cilëve do të ndodhë.

Një gazetare e kronikës, përsëri në një emision televiziv, pa u bërë merak se ajo që thotë mund të dekonspirojë shumë më tepër se një të dhënë, dy ditë më parë, sërish krejt pa ngurruar, na mësoi se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sapo kishin arritur edhe katër fashikuj të mëdhenj të dosjes “Habilaj”, në të cilën komprometohet rëndë edhe ish-ministri Tahiri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, përmes një deklarate ashpërsisht politike dhe do të thosha, krejtësisht halabake, pasi denoncon sipas saj daljen e provave në procesin e saponisur Tahiri, i bën presion shefit të qeverisë se, edhe ai, si ish-kryeministri kroat, mund ta pësojë për një orë dore dhe se përvoja që ata kanë marrë është tepër domethënëse.

Pak ditë më parë, po nga një shef prokurorie, kësaj here i njëjti që filloi dosjen “Tahiri”, i dërgohet një video ish-shefit të qeverisë për një aksion në kuadër të triremës Habilajt, dhe, ky i fundit, pa i bërë syri tërr se përmes saj mund të dekonspirohet një aksion i prokurorisë së shtetit dhe jo i prokurorisë së tij, e bën atë publike.

Askush nuk e pyet gazetaren e kronikës se nga i ka ajo të dhënat sekrete, provat e duhura, të cilat sapo kanë ardhur nga shteti fqinj dhe në të cilat rëndohet akuza ndaj ish-ministrit Tahiri, sepse, nëse është e saktë e dhëna e saj, ka edhe një burim i cili e ka bërë atë publik në media, aq më tepër në media të cilat mbajnë të njëjtin qëndrim si ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Askush nuk e pyet Prokurorinë e Krimeve të Rënda se mbi bazën e të cilit ligj dhe nga cili autoritet ai mund të dërgojë video që janë provë e rëndësishme në një proces të ardhshëm drejt një ish-shefi të qeverisë, apo edhe sikur t’i kishte dërguar ndaj shefit të sotëm të qeverisë. Për më tej, as vetë njeriu që i bëri publike pamjet nuk ndan përgjegjësinë e tij për këtë akt skandal, i cili, në të gjithë botën e civilizuar, është i pashembullt. Jo të ishte ai kryeprokurori i Krimeve të Rënda, si mendohet se është, por edhe sikur të ishte kryeprokurori i të gjithë vendit, kudo që të ishte dhe të kishte ligje e shtet, ai do të ishte flakur e jo pa pasoja nga detyra e tij. Për gjëra shumë më të pakta, si disa rreshta të hedhura në një punim shkencor, pa i cituar autorin, janë flakur nga detyra ministra në shtetin gjerman, si ish-ministri i Mbrojtjes, megjithëse deri atë ditë konsideroheshin e ardhmja e një e force politike që qeveriste vendin.

Prokurorët u ankuan se në çështjen “Tahiri” provat janë bërë publike, sidomos emri i një oficereje policie, që na paska shëtitur me njërin nga krerët e mafias dhe ndaj së cilës një gazetare u rebelua, me idenë se ishte nënë, motër, grua. Drejt e ka, nuk duhej cituar emri i saj, por bëmat e saj do të bëheshin një ditë të njohura, sepse, siç është bërë e njohur, ajo është tashmë një bashkëpunëtore e mbrojtur e drejtësisë. E bën këtë ajo për të shpëtuar veten nga mëkatet e detyrës, e bën se është vërtet e penduar, e bën se i kanë thënë se duhet ta bëjë që të shpëtojë, qoftë edhe me shtesën e disa fjalive që duan prokurorët, kjo është çështje tjetër.

Prokuroria që u ankua për daljen e provave do e kishte të lehtë se nga cili burim dalin ato, jo përmes ndjekjes së varianteve televizive, por përmes njerëzve të saj, të cilët, mjeshtërisht, pasi i shpërndajnë në media ortake, ose në gazetarë “si duhet”, i kthejnë pas, i bëjnë prova dhe përmes tyre kërkojnë të ngrenë një piramidë tjetër provash, të cilat, në fakt, e kanë fillesën tek vetë ata.

Nuk e di nëse Tahiri apo ndonjë “Tahir” tjetër është fajtor apo jo. Pushteti të josh shpesh herë me atë që të ofron, megjithëse nuk duhet të ndodhë kështu. Edhe Tahirin mund ta kenë joshur sirenat e lakmisë. Nuk do të ishte i pari dhe, si duket, nuk do të jetë as i fundit. Është i pari që, menjëherë, ende pa u sqaruar asgjë, u dëbua nga shtëpia e tij politike, si një lebroz politik, por nuk do të jetë i fundit në radhët e të korruptuarve nga pushteti.

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri gabimin e saj fatal në këtë çështje kaq delikate, politike e shtetërore njëkohësisht. Si duket, nën ankthin e Vettingut, shumë prokurorë, gjyqtarë, hetues, njerëz të sistemit të drejtësisë, në të gjithë piramidën e saj, ndjehen të rrezikuar, sa nga gjynahet që kanë lënë pas vetes, sa nga politika që i ka vënë në gjunjë.

Duke trajtuar një çështje kaq serioze si të ishin një detashment politik ajo solli shembullin më të keq se si një organ kaq serioz, i pavarur, mund të bëhet njëkohësisht qesharak dhe i varur. Duke kërkuar “provat” që kishin humbur ose ishin bërë publike, kur duhej të mbeteshin brenda një rrethi të ngushtë, ata, jo vetëm që nuk sollën prova, por, edhe kur menduan se i kishin, i dërguan më parë në dy burime: media që mendojnë njëlloj si ata dhe tek opozita, që në fakt është prova më e madhe e mosndëshkueshmërisë së krimit.

Prokuroria e ka bërë herë pas here këtë lojë miope dhe thellësisht antiligjore. Ajo i delegon provat e saj aty ku mendon se i shërbejnë dhe pastaj i prish përsëri vetë. Dhe pastaj, si pa të keq, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, çështjet mbyllen, krimi mbetet ende pjesë e shoqërisë, vazhdon me krimin e radhës, deri sa një ditë vendos të jetë një pushtet i pestë. Fakti që, në vitet e fundit, as një e katërta e denoncimeve dhe e dosjeve të policisë dërguar për hetim nuk kanë pasur të dënuar, edhe kur të proceduarit janë zënë me dhjetëra e qindra kilogram kanabis, dëshmon se prokuroria kur e ka provën para syve , largon sytë, dhe kur nuk ka prova, kërkon sytë e medias për t’i gjetur ato që vetë i ka servirur.

Është shembulli më i keq, jo sepse Tahiri mund të jetë krejtësisht i pafajshëm, por sepse solli dëshminë se si strukturat e ligjit kthehen në detashmente partiake dhe se si rëndon mbi to e shkuara, që nuk ka qenë gjithnjë e pastër dhe të cilën, në mos tjetër, e ka arshivuar ish-shefi i qeverisë.

Është shembulli më i keq se si një organ kaq i rëndësishëm mund të manipulojë me fjalëzën “prova”, duke e kthyer gjithçka në tatëpjetën e asaj që duhej të ishte në ngjitje.

Sa më shumë ditë të shkojnë në vonesën e Vettingut, aq më tepër kjo strukturë do të vazhdojë të blindohet, të bëhet palë me politikën që ka po të njëjtën drojë nga e ardhmja dhe që sëbashku me togën e gjykatësve, mbajnë të njëjtën përgjegjësi për mbulimin e krimit si në një tokë të askujt.

Doni provat? Zbërtheni prokurorinë se kujt ia jep në të fshehtë!