Bota Kush ishte perandori i parë? A ka pasur perandoreshë? Historia e familjes...

Kush ishte perandori i parë? A ka pasur perandoreshë? Historia e familjes perandorake japoneze

Naruhito, djali i madh i Akihitos, u kurorëzua dje perandori i 126-të i Japonisë duke hapur epokën e ere të quajtur Reiwa (Harmonia e Bukur).

Pas 30 vitesh e pesë muajsh, perandori japonez Akihito hoqi dorë nga froni për t’i lënë vendin djalit të tij të madh, princit të kurorës Naruhito.

Abdikimi i perandorit japonez vuri në qendër të vëmendjes familjen perandorake të Japonisë. Froni i Krizantemës ka një histori të pasur dhe nuk i kanë munguar asnjëherë polemikat.

Kush ishte perandori i parë i Japonisë?

Japonezët thonë se perandori Jimmu ishte udhëheqësi i parë, i cili mbretëroi midis viteve 660 dhe 585 para Krishtit. Thuhet se ai ishte pasardhës i perëndeshës së diellit, Amaterasu Omikami. Sipas qeverisë, familja perandorake e Japonisë ka prejardhjen më të gjatë trashëgimore në botë duke u shtrirë në më shumë se 2 600 vjet. Megjithatë, ekzistenca e figurave legjendare, përfshirë perandorin Jimmu dhe perëndeshën e diellit, gjithmonë është kundërshtuar.

A i lejohet një perandori japonez të dalë në pension?

Kushtetuta thotë se një perandor japonez shërben si një “simbol i shtetit dhe i bashkimit të popullit”, por nuk mban asnjë autoritet politik. Kjo do të thotë se ishte ligjërisht dhe politikisht e pamundur për perandorin Akihito që të diskutonte drejtpërdrejt abdikimin. Në qershor të vitit 2017, parlamenti i vendit miratoi një ligj që aplikohej vetëm për perandorin Akihito për t’i dhënë mundësi atij të braktiste fronin.

Kushtetuta e Japonisë përcakton ndarjen e shtetit dhe fesë. Por, a ka shprehur ndokush në Japoni ndonjë kritikë apo kundërshtim ndaj këtyre planeve?

Kontradiktat janë minimizuar nga mediet japoneze. Megjithatë, në dhjetor 2018, 241 persona paraqitën një padi në Gjykatën e Qarkut në Tokio për të bllokuar financimin shtetëror të këtyre ceremonive.

Në fund të nëntorit, edhe princi Akishino vuri në pikëpyetje kushtetutshmërinë e ritit të madh të falënderimit, Daijosai, një lloj ceremonie.

“Kjo është një ngjarje e perandorisë familjare dhe shumë fetare. Pyes veten nëse është e përshtatshme për të mbuluar koston e saj me fonde shtetërore”, tha princi në një konferencë shtypi.

Fëmija i vetëm i princit të kurorës Naruhito, 59 vjeç, dhe princeshës së kurorës Masako, 55, është princesha Aiko, 17 vjeçe. A do të marrë Aiko përsipër perandorinë në fund të mbretërimit të babait të saj?

Sipas ligjit aktual Aiko nuk lejohet të marrë  fronin. Sipas Ligjit të Shtëpisë Perandorake “Froni Perandorak do të pasohet nga një pasardhës mashkullor në radhën e meshkujve që i përkasin familjes perandorake”. Nuk ka plane për të ndryshuar ligjin që i lejon gratë të marrin fronin.

Në vijim do të jetë princi Akishino, 53 vjeç, vëllai i vogël Naruhito, i ndjekur nga princi Hisahito, 12 vjeç, djali i vetëm i Akishinos dhe princeshës Kiko, 52 vjeçe. Çifti gjithashtu ka dy vajza, Mako 27 dhe Kako 24 vjeçe.

Sa anëtarë ka familja perandorake?

Me 18 anëtarët e saj, familja perandorake pasqyron tkurrjen demografike dhe plakjen e Japonisë. Numri i anëtarëve ka rënë nga 24 në 18 që nga viti 2005, kur vajza e vetme e perandorit, princesha Nori, u ”bë” njeri i thjeshtë pasi u martua me një burrë jashtë rrethit perandorak. Femrat si princesha Nori, e njohur tani si Sayako Kuroda, duhet të heqin dorë nga statusi i tyre si anëtare të familjes perandorake sapo martohen me dikë që nuk i përket rrethit perandorak.

Princi Hisahito është i vetmi mashkull në brezin e tij dhe familja ka gjashtë anëtare femra të pamartuara. Kështu, numri i anëtarëve të familjes perandorake do të zvogëlohet më tej dhe kriza aktuale e trashëgimisë perandorake pritet të rritet ndjeshëm.

A ka pasur Japonia ndonjëherë një perandoreshë?

Japonia ka pasur 10 perandoresha që nga perandoresha Suiko, mbretërimi i të cilave ishte midis 592 dhe 628 pas Krishtit. Kombi nuk ka parë një femër në Fronin e Krizantemës për rreth 250 vjet që nga perandoresha Gosakuramachi.