Extra Kush kujdeset për pamjen unike të Uashingtonit?

Kush kujdeset për pamjen unike të Uashingtonit?

A keni menduar ndonjëherë se kush kujdeset për të ruajtur pamjen unike të Uashingtonit? Një komision i përbërë nga ekspertë të artit vendos pothuajse për çdo ndërtesë publike, monument dhe hapësirë në kryeqytetin e Amerikës.

Uashingtoni është një qytet monumental. Një kryeqytet me pamje ikonike. Kjo është projektesh të planifikimit urban që shqyrtohen nga një Komision i Arteve të Bukura, i emëruar nga presidenti dhe i themeluar nga Kongresi në vitin 1910.

“Ideja ishte që qyteti të merrte një pamje të famshme, duke e bërë atë një kryeqytet të rëndësishëm ndërkombëtar. Pra, ideja e dinjitetit dhe bukurisë të mishëroheshin edhe në imazhin e qytetit”, tha Thomas Luebke nga Komisioni i Arteve të Bukura.

Komisioni jep udhëzime për zhvillimin arkitektonik të Uashingtonit dhe këshillon qeverinë federale për çështje që lidhen me artet dhe simbolet kombëtare, siç janë medaljet dhe monedhat.

Një nga projektet e tij të reja të profilit të lartë është gardhi i ri që po ngrihet rrotull Shtëpisë së Bardhë.

“Në thelb, pothuajse dyfishuam madhësinë e gardhit dhe i shtuam atij një lloj mbrojtjeje nga shpërthimet dhe goditjet me objekte të forta. Pra, gjithçka, të gjitha pjesët, duhej të forcoheshin”, tha Thomas Luebke nga Komisioni i Arteve të Bukura.

Në të njëjtën kohë ai duhej të kishte pamje të bukur. Që nga sulmet terroriste të vitit 2001, siguria është shndërruar në përparësi kryesore.

“Ne përpiqemi ta bëjmë atë sa më të padukshëm ose të gjejmë mënyra për ta bërë atë të duket nga ana pamore si pjesë e mjedisit. Pra, që nuk i bën vizitorët të ndjehen në siklet nga pamja e tij. Ne në fakt po përpiqemi ta bëjmë atë të jetë më dinjitoz dhe mikpritës”, tha Thomas Luebke nga Komisioni i Arteve të Bukura.

Pennsylvania Avenue ishte një rrugët kryesore me shumë aktivitet para Shtëpisë së Bardhë. Që nga viti 1995, në segmentin para Shtëpisë së Bardhë nuk lejohet më lëvizja e makinave për arsye sigurie. Komisioni i Arteve të Bukura u angazhua për ta bërë zonën e siguruar vizualisht tërheqëse.

Memoriali i Linkolnit (majtas) dhe Monumenti i Uashingtonit (në qendër) shfaqen në dritën e agimit, ndërsa në sfond duket Kapitoli, selia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

Në Përmendoren e Linkolnit, pishina reflektuese shërben si një barrierë sigurie, por vizitorët nuk e kuptojnë ashtu. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për trotuaret që të çojnë në Monumentin e Uashingtonit.

“Është një perimetër i sigurisë, por kur ecni aty juve ju duket si një vendkalim i bukur gjarpërues drejt monumentit“, tha Thomas Luebke nga Komisioni i Arteve të Bukura.

Panelet diellore, instalimet për kullimin e ujit të shiut dhe peizazhet urbane janë disa nga projektet më të reja që paraqiten para komisionit. Nevojat ndryshojnë gjatë dekadave, por komisioni mbetet i përqendruar në ruajtjen e pamjeve të cilësisë së lartë në mënyrë që kryeqyteti i vendit të mos humbasë kurrë shkëlqimin e tij të veçantë./VOA