Opinione Kush po i bën “sconto” faturës së Edi Ramës

Kush po i bën “sconto” faturës së Edi Ramës

Edi Rama e ka marrë të plotë faturën për çështjen “Tahiri”. Ajo është politike, ashtu siç në fakt duhet të ishte dhe nuk e kuptoj pse dikush nga Partia Demokratike po kërkon ende një fitore që, në fakt, është arritur një herë.

Prangat në duart e Saimir Tahirit mund të kenë vlerë për dikë që mund të ketë pasur hesape personale me të, ose për ndonjë shqiptar, që kënaqet vetëm kur e sheh tjetrin në hall (sidomos kur ai është personazh i njohur), por jo për opozitën. E cila, kryesisht për shkak të policisë italiane, por edhe e ndihmuar nga vetë qeveria në vështirësi, ka arritur të kor­rë një sukses të bujshëm politik.

Është humbje kohe të merresh me debatin në kishte të drejtë apo jo mazhoranca të rrëzonte kërkesën e prokurorisë për ar­restimin e Saimir Ta­hirit. Sipas meje, qeveria nuk ka shkelur ndonjë ligj e, aq më pak kushtetutën, kur ka marrë atë ven­dim, sepse ka shfryt­ëzuar një të drejtë të vetën. Të cilën ia jep një copë e imu­nitetit për politikanët dhe njerëzit e drejtësisë, e cila u ruajt e paprekur në ndryshimet e famshme të vitit 2012.

Por përtej kësaj, ajo është vetëzbuluar lakuriq para shoqërisë, duke treguar se çfarë është për të raporti i politikës me krimin, por edhe ai me drejtësinë. E thënë ndryshe, juridikisht Edi Rama nuk ka bërë ndonjë shkelje, por moralisht ai është i vdekur dhe i pakallur.

Sepse në rastin e parë që iu paraqit një mundësi për të treguar se është i pakapur nga krimi dhe fijet e tij, ai demonstroi të kundërtën. Edi Rama kishte dy opsione përpara vetes, të tregonte se ai voton symbyllazi sa herë që drejtësia e kërkon atë vetë apo një nga të tijët, apo që të shfrytëzojë një hapësirë të ngushtë ligjore për të fshehur kokën si struci.

Kryeministri zgjodhi të dytën dhe kjo është rrethanë e mjaftueshme që opozita ta konsideronte të mbyllur betejën e vet, duke u përqëndruar tek shpjegimi politik i kësaj që po ndodh dhe jo tek nenet e kushtetutës dhe të Kodit Penal që, sipas saj, po shkelen.

Nesër është dita e finalizimit të kësaj sage të neveritshme dhe turpëruese për Shqipërinë dhe fatke­qësisht debati ka degraduar se si do të jetë raporti i votave pro dhe i atyre ku­ndër arrestimit të Saimir Tahirit. Ndërkohë, që kjo nuk duhet të kishte asnjë vlerë, sepse askush në Shqipëri nuk ka ndonjë kuriozitet për numrin e deputetëve, që secila parti ka në parlament.

Nëse do të isha dep­utet i opozitës do të kërkoja sot heqjen e plotë të imunitetit për çdo politikan, prokuror dhe gjykatës, si e vetmja mën­yrë e shprehjes së vullnetit të plotë për vënien në dispozic­ion të gjithkujt para drejtësisë, si i barabartë para ligjit. Sa kohë që ajo klauzolë të jetë, të gj­itha betimet se ne jemi gati në çdo moment të ballafaqohemi me drejtësinë, nuk janë gjë tjetër veçse dëngla politikanësh.

Sepse barazia para ligjit sot nuk ekziston me ligj.

Me sa më kujtohet ka qenë Partia Social­iste, që ka këmbëngu­lur atëherë (në vitin 2012) që të kishte një dritare të vogël për deputetët dhe për njerëzit e drejt­ësisë, nëpërmjet të cilës po mbrohet këto ditë fati i qytetarit Sa­imir Tahiri, sepse politikisht ai tashmë ka kryer punë. Duhen vetëm 28 firma për t’ia lënë në derë prapë Edi Ramës, që ta marrë ai përsipër të vendosë që qeveria e tij nuk bën dot pa imunitet dhe se kjo mazhorancë e ka frikë drejtësinë.

Do të ishte një betejë win/win, fundi i së cilës do të sillte një sukses të gar­antuar. Natyrisht, nëse dikush ose disa nga opozita nuk e kanë merakun që mbase një ditë ta shfrytëzojnë për vete atë nenin, që po shërben sot si salvaxhente për Saimir Tahirin.

Por edhe nëse do të ekzistonte kjo frikë për dikë apo për disa, do të ishte një keqkuptim i madh. Sepse imuniteti, për aq sa është, nuk ësh­të ndonjë instrument, prej të cilit mund të mbrohet opozita. Sepse nëse do të vinte ajo ditë, mazho­ranca i ka gjithmonë votat që edhe në më­nyrë arbitrare të vo­tojë kundër çdo depu­teti të Partisë Demokratike, sa herë që kjo të kërkohet. Sepse jemi ne ata që mendojmë dhe po përpiq­emi të bindim shqiptarët se Saimir Tahiri nuk është rast i veçuar, por ka edhe shumë të tjerë si ai, por për këtë duhet të jemi bindës.

Ndaj edhe them se opozita sot betejën nuk e ka me parlamentin, por me opinionin publik, të cilin duhet ta tërheqë pas kauzës së vet, kur ta ketë realisht një të tillë. Kështu si po zhvillohen ngjarjet sot, të gjithë janë të bindur që Rama është kapur i zhytur në llum, por jo të gjithë mendojnë se Partia Demokratike po bën gjënë e duhur dhe po e shfrytëzon siç duhet këtë shans të artë.