Kryesore Kush qëndron pas një postimi në HuffPost kundër Donald Lu?

Kush qëndron pas një postimi në HuffPost kundër Donald Lu?

Në redaksitë e Tiranës, pasditen e së mërkurës u përhap me shpejtësi një lajm, ku thuhej se Huffington Post ka përgatitur një shkrim kundër ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Në shkrim theksohet se “Departamenti i Shtetit duhet të ndërhyjë urgjent në ambasadën e SHBA në Tiranë”.

Në shkrimin e Luke Coffey thuhet: “Në muajt e fundit, Ambasada e SHBA në Shqipëri është akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Disa nga akuzat bëhen për marrëveshje të fshehta të Ambasadës me grupe të majtë si Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Fondacioni për Shoqëri të Hapur është një rrjet organizatash joqeveritare i George Sorosit, i cili promovon nëpër botë ideologjinë “përparimtare” të miliarderit, që është shpesh jomiqësore me interesat amerikanë”.

“Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, kohët e fundit dhe shumë publikisht akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla për pengim të Reformës në Drejtësi. Kjo shkaktoi zemërim në Shqipëri. Zoti Llalla i shkroi Presidentit President Bujar Nishani dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për t’u ankuar për sjelljen vulgare të ambasadorit. Llalla madje pretendon në letër se Ambasadori Lu e ka kërcënuar” vijon shkrimi.

“Kjo vjen pas anulimit të vizave amerikane kohët e fundit për 70 prokurorë e gjyqtarë të lidhur me opozitën (askujt nga PS nuk iu anulua viza). Të dy incidentet mund të interpretohen si ndërhyrje partizane nga ambasada e SHBA , si një përpjekje për vetting për anëtarët e sistemit të drejtësisë. Kjo e ka bërë edhe më keq polarizimin politik në Shqipëri.

Përzierja në punët e brendshme të aleatëve të Amerikës është jo vetëm gjë e keqe për SHBA, por në kundërshtim me shpirtin dhe dokumentin e Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike të viti 1961. Neni 41 i Konventës deklaron se diplomatët kanë “detyrimin të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit ku janë akredituar”.”

Por si është e vërteta?

Ky në fakt nuk është një shkrim i faqes së njohur, por thjesht një postim në faqe, pavarësisht se portalet shqiptare e bëjnë fakt të kryer.

Prej disa kohësh, faqja Huffington Post, që e ka nisur jetën si një blog i hapur, u mundëson të gjithëve që të shkruajnë aty, në seksionin e kontributorëve.

“Kontributorët kontrollojnë vetë punën e tyre dhe postojnë lirisht në faqen tonë. Nëse doni ta etiketoni këtë shkrim si abuziv, na shkruani,” thekson Huffington Post, duke shtuar se ata bëjnë thjesht hostimin.

Në këto kushte, shkrimi i Luke Coffey nuk është një kontribut gazetaresk.

Gjithkush nga ne mund të bëjë një shkrim në këtë seksion të HuffPost.

Po kush është Coffey?

Ai shkruan se është drejtor në ‘Heritage Foundation’.

Para disa muajsh, në blogun e tij në Huffington Post ai shkroi një artikull me akuza të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për çështjen e kanabisit.

Në shkrim thuhej se Tahiri po mbron trafikantin Klement Balili.

Të tilla postime vijnë në kohën kur Departamenti i Shtetit ka shprehur mbështetjen e tij për deklaratat e Donald Lu dhe duket se i shërben më shumë politikës së brendshme shqiptare.