Kulturë Kushi: Pse Albanologjinë po e kalojmë tek Akademia e Shkencave

Kushi: Pse Albanologjinë po e kalojmë tek Akademia e Shkencave

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi sot se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në Akademinë e Shkencave.

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kushi tha se “në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam një vendim, i cili ka pasur ditët e fundit shumë debate, diskutime madje edhe dizinformime edhe spekulime, për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. ASA nuk plotëson kriteret për të qenë institucion i arsimit të lartë. Synimi është ta ngremë albanologjinë shqiptare në një nivel të ri për sa i takon vlerave dhe identitetit tonë kombëtar”.

“Në fakt ASA është krijuar në 2007 me vendim të Këshillit të Ministrave. Ka qenë pikërisht shkëputja e instituteve që deri në atë kohë kanë qenë pranë Akademisë së Shkencave, duke u grumbulluar bashkë e duke krijuar qendrën e studimeve albanologjike që më pas me miratimin e ligjit në vitin 2015 kërkoi kjo qendër, senati që të kthehej në një lloj të institucioni të lartë të llojit akademi”, tha Kushi.

Kushi u shpreh se “Ministria e Arsimit e miratoi dhe kërkoi në mënyrë të vazhdueshme që ky institucion i arsimit të lartë të riorganizohej për t’u përputhur me kriteret ligjore të ligjit për Arsimin e Lartë. Por ASA edhe pse mori këtë emër u miratua edhe u mbështet në mënyrë të vazhdueshme nuk arriti që të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit”.

“Në janar të 2023 MAS filloi një kontroll ligjshmërie sepse e ka detyrim ligjor në institucionet e Arsimit të Lartë përfshirë edhe ASA. Aty u konstatuan një sërë problematikash, shkelje të rënda ligjore si të llojit të strukturës apo organizimit, por edhe nga ana e funksionimit administrativ dhe financiar”, tha Kushi.

Ministrja Kushi theksoi se “ASA sot që flasim dhe asnjëherë nuk ka pasur një fakultet, që është detyrimi i parë ligjor që të ketë një fakultet dhe në asnjë prej mjediseve të saj nuk ka mësimdhënie, që e bën të pamundur të vazhdojë të funksionojë si institucion i Arsimit të Lartë. ASA është e paakredituar si nga ana institucionale dhe e programeve të studimit”.

“Nëse nuk ka regjistrime për dy vite, institucioni duhet të aplikojë në MAS për të mbyllur programin, as këtë nuk e ka bërë. Ka një sërë argumentesh që e bëjnë të pamundur ekzistencën e ASA-s si një institucion të Arsimit të Lartë”, tha Kushi.

Më tej, Kushi tha se “ne kemi një vendim të grupit të punës nga MAS që ka muaj të tërë që po punon që ia ka vënë në dispozicion edhe Akademisë ku shkeljet dhe parregullsitë janë të mëdha dhe të shumta në numër. Kështu që ne sot me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërës të saj si njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave. Vendimi i Këshillit të Ministrave garanton transferimin e të gjitha drejtave, pasurive të luajtshme, të paluajtshme, personelin dhe të gjitha transferohen tek Akademia e Shkencave” tha Kushi.

Ndërsa, shtoi ajo, doktorantët që janë në proces dhe që duhet të kishin mbaruar prej kohësh sepse kanë tejkaluar afatet ligjore do t’i mbështesim dhe transferojmë dhe do të jetë MAS garant që të transferohen në Institucione të Arsimit të Lartë, që ofrojnë programe doktorature.

Kushi tha se “garantoj të gjithë punonjësit e ASA se do të kenë mbështetjen tonë maksimale. Ky vendim jo vetëm e sjell në ligjshmëri albanologjinë, por e ngre në një nivel më të lartë”.