Politika Kuvendi miraton rezolutën për antisemitizmin, SHBA përgëzon Shqipërinë

Kuvendi miraton rezolutën për antisemitizmin, SHBA përgëzon Shqipërinë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 111 vota pro rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Kjo rezolutë ndalon manifestimet dhe ndjenjat e urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj, komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve, si edhe perceptimet denigruese ndaj tyre.

Miratimi i rezolutës shoqërohet me ndalim të çdo lloj përpjekjeje për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarde të dyfishta në qëndrimet ndaj shtetit të Izraelit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur këtë akt, ndërsa thotë se janë krenarë që Shqipërinë e konsiderojnë si shtet partner dhe aleat në mbrojtjen e dinjitetit për çdo individ.

“Sot, parlamenti miratoi përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin. Ky akt vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes. Na kujton gjithashtu historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku. Shtetet e Bashkuara janë krenare që e quajnë Shqipërinë një partnere dhe aleate ndërsa vazhdojnë angazhimin e tyre për dinjitetin e çdo individi”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA”, shkruan ambasada.