Kryesore Kuvendi përdori dy standarde për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Kuvendi përdori dy standarde për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Në një deklaratë për shtyp të premten, kreu i kuvendit Ilir Meta deklaroi se zgjedhja e tre anëtarëve pa short të KED-së nga Prokuroria e Përgjithshme, ishte e ligjëshme për shkak se vetëm tre prokurorë,  1 në Prokurorinë e Përgjithshme dhe 2 në Apel, e plotësonin kushtin e të qënit magjistratë.

“Për 1 vend në KED, plotëson kriteret dhe kushtet, përfshirë dhe Shkollën e Magjistraturës, vetëm një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe për 2 vende, plotësojnë kriteret dhe kushtet, përfshirë dhe Shkollën e Magjistraturës, vetëm dy prokurorë të prokurorive pranë Gjykatave të Apelit,” deklaroi Meta.

Reagimi i Metës erdhi pas akuzave të bëra një ditë më parë nga ambasadori Amerikan Donald Lu kundër Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Duke folur në një konferencë të titulluar “Ne populli: Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”, organizuar nga KRIIK Albania dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë që po zhvillohet sot në Tiranë, Lu deklaroi se kryeprokurori Adriatik Llalla duket se ka shkelur frymën e kushtetutës së re të vendit që u miratua vitin e kaluar pasi në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dërgoi për short tre kandidatë për tre poste, efektivisht duke paracaktuar fituesit.

“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”, deklaroi Lu.

“Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, shtoi ambasadori.

Neni 149, pika 3 i Kushtetutës përcakton se “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.”

Ndërkohë që Kuvendi ka pranuar kandidatët e ardhur nga Prokuroria pa short me argumentin se në instancat e Apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshëm ka vetëm 3 magjistratë, ky institucion nuk ka aplikuar të njejtën masë për kanditatët e ardhur nga Gjykaqta e Lartë, të cilët janë përzgjedhur me short nga një listë gjykatësish që nuk e kanë mbaruar shkollën e Magjistraturës.

I pyetur mbi përmbushjen e kritereve ligjore nga gjyqtarët, Meta u shpreh që vlerësimi i ligjshmërisë së procesit nuk ishte punë e Kuvendit, edhe pse procedurën e ndjekuar nga kryeprokurori Lalla e kishte vlerësuar si të ligjshme.

“Nuk është detyra e Kuvendit dhe në rastin konkret të hedhjes së shortit për të gjykuar mbi respektimin e kritereve nga institucionet e ndryshme kushtetuese për propozimet që janë bërë për në KED. Pra, as nga Prokuroria, as nga Gjykatat dhe nga KLD-ja,” Meta përfundoi.