Histori “La Guerra del Futbol”, ndeshja që nisi një luftë dhe shkaktoi 6...

“La Guerra del Futbol”, ndeshja që nisi një luftë dhe shkaktoi 6 mijë viktima

Ndonjëherë sporti mund të jetë i rrezikshëm, madje edhe vdekjeprurës, nëse përfundon të jetë origjina e një lufte.

8 qershor 1969, Tegucigalpa, kryeqyteti i Honduras. Pritet të luhet ndeshja midis Hondurasit dhe Salvadorit, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror, të planifikuar në Meksikë, verën e vitit të ardhshëm. Ekipi mik, i cili mbërriti në Tegucigalpa të shtunën, kaloi një natë pa gjumë. Një turmë njerëzish të mbledhur rreth hotelit bënë gjithçka për të mbajtur zgjuar lojtarët: Tymuese, flakadanë dhe gurë në drejtim të dhomave të gjumit, zhurma dhe goditje të llojeve të ndryshme. Rezultati: 1-0 për Hondurasin. Roberto Cardona, sulmuesi i Hondurasit, shënoi golin e fitores, në minutën e fundit.

Menjëherë pas këtij momenti, në Salvador, një vajzë tetëmbëdhjetë vjeçare, e quajtur Amelia Bolanos, merr armën e babait të saj dhe qëllon mbi veten. Me ketë veprim, ajo bëhet një lloj heroine kombëtare, e cila vdiq – siç shkruan një gazetë vendase të nesërmen – ”sepse nuk e duroi dot dhimbjen kur pa atdheun e saj në gjunjë”. Funerali i saj transmetohet drejtpërdrejt në televizion, ku marrin pjesë i gjithë kryeqyteti, drejtuesit e lartë të ushtrisë, presidenti i Republikës dhe të gjithë ministrat. Në fund të kortezhit, ndodhen njëmbëdhjetë lojtarët e Salvadorit, që u fishkëllyen, u fyen, u mbuluan me pështyma.

Në këtë mënyrë situata përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Në San Salvador betohen për hakmarrje. Në ndeshjen e kthimit, është radha e lojtarëve të Hondurasit të vuajnë. Zhurma dhe dhuna është në një nivel tjetër, në krahasim me atë që ndodhi në Salvador: të gjitha dritaret e hotelit janë shkatërruar, nëpër dhoma hidhen vezë të kalbura, gurë, madje edhe minj të ngordhur. Të nesërmen ekipi mbërrin në stadium, i shoqëruar nga tanket e ushtrisë, për t’i larguar ata nga turma e acaruar, e vendosur të hakmerret për vdekjen e Amelia Bolanos.

Stadiumi është i rrethuar nga ushtria dhe fusha nga ushtarë me mitraloza të rendë. Fishkëllima dhe ulërima kur po këndohej himni i Hondurasit, flamuri kombëtar i të cilit është djegur publikisht. Tashmë synimi kryesor për Hondurasin, në vend të fitores, është dalja gjallë nga stadiumi. Salvador, në fakt, fitoi tre me zero. “Për fat të mirë, ne humbëm”, deklaroi trajneri i Honduras, i lehtësuar në fund të ndeshjes.

Refugjatët salvadorian që punonin në Honduras, u strehuan në selinë e Kryqit të Kuq në San Miguel më 7 korrik 1969, pas fillimit të Luftës së Futbollit

Por ky ishte vetëm fillimi. Pas largimit, të transportuar gjithnjë nga tanket në aeroport, ekipi mik, la dy “të vdekur”, njëzet të plagosur, njëqind e pesëdhjetë makina të shkatërruara, “e gjithë dhuna” nuk do të kalohej aq shpejt.

Qindra qytetare te Salvadorit u larguan nga Hondurasi

Në fakt, ky do të ishte vetëm fillimi i një luftë të vërtetë midis dy shteteve. Diçka e papritur për botën perëndimore, por jo për ata që janë të njohur me situatën e Amerikës Latine, ku kufiri midis futbollit dhe politikës është shumë i hollë. Në këtë rast, lufta midis Honduras dhe Salvador nuk vonoi të vinte. Mbrëmjen tjetër, Salvador filloi të bombardonte vendin rival, me justifikimin e ruajtjes së qytetarëve dhe kufijve, duke shkaktuar një konflikt që do të zgjaste njëqind orë. Rezultati: gjashtë mijë të vdekur, dhjetëra mijëra të plagosur, pesëdhjetë mijë të pastrehë. Armëpushimi, megjithatë, nuk do të normalizonte aspak marrëdhëniet midis dy shteteve: traktati i paqes do të nënshkruhet vetëm në 1980, njëmbëdhjetë vjet më vonë.

Memoriali në kujtim të luftës

Futbolli kontribuoi për të rindërtuar shovinizmin dhe histerinë patriotike, shumë të nevojshme për të filluar luftën dhe forcuar fuqinë e oligarkisë në të dy vendet. Të dy qeveritë ishin të kënaqura me luftën, sepse për disa ditë Honduras dhe Salvador mbushën faqet e para të gazetave në të gjithë botën dhe ngjallën interesin e opinionit publik ndërkombëtar. Shtetet e vogla shpresojnë të ngjallin interes kur derdhin gjak. E trishtueshme, por e vërtetë.