Bota Laboratori gjerman që po trishton botën me keqtrajtimin e majmunëve (Kujdes! Pamje...

Laboratori gjerman që po trishton botën me keqtrajtimin e majmunëve (Kujdes! Pamje të rënda)

Majmunët të kapur në kapse metalike, mace dhe qen të lënë të gjakosur që më pas të ngordhin… është vetëm një pjesë e një skene të frikshme nga një laborator gjerman i toksikologjisë i lëshuar nga aktivistë për të drejtat e kafshëve.

Disa organizata për mbrojtjen e kafshëve, si Soko Tierschutz dhe Cruelty Free International kanë shpërndarë një video të një aktivisti që kishte gjetur përkohësisht punë në një laborator në Mienenbuttel, në periudhën dhjetor 2018 – mars 2019.

Pasi vërejti kushtet sipas tij të tmerrshme në të cilat jetonin kafshët, qenë, mace, lepuj dhe veçanërisht majmunë, i riu mori kurajë dhe vendosi një kamera të fshehtë duke filmuar disa minuta.

Trajtimin më çnjerëzor sipas tij e pësonin majmunët, të tipit makak, që duken në pamje të lidhur më rrathë metalikë dhe shirita ngjitës.

Shoqatat denoncojnë se Gjermania nuk ka ligje strikte mbi eksperimentet mbi kafshët, që i shërbejnë në pjesën më të madhe industrisë farmaceutike.

Aktivisti thotë se kafshët po mbahen në rrethana të tmerrshme. Ai pretendon se stafi është i dhunshëm ndaj kafshëve dhe se nuk janë trajnuar aspak për të qenë të ndjeshëm ndaj tyre.

Ankesat për mbylljen e këtij laboratori po rriten në mediat sociale. Një peticion tashmë është nënshkruar nga më shumë se 40,000 njerëz.