Aktualitet Laboratori i kokainës në Has, sekuestrohen pasuritë e Admir Hoxhës

Laboratori i kokainës në Has, sekuestrohen pasuritë e Admir Hoxhës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka sekuestruar pasuritë e Admir Hoxhës, të dyshuarit si ideator i laboratorit të kokainës në Has.

Sekuestrimi i pasurive u bë me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga ana e dy hetuesve, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Konkretisht, u sekuestrua resorti “Ador” në Rinas me sipërfaqe 3320 metër katrorë dhe automjeti i tij tip Audi me targa AA 111 MP. Pasuritë e Admir Hoxhës dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal.

Hetimet ndaj Admir Hoxhës po kryhen në kuadër të operacionit “Vol- Vo4” ku u shkatërrua ky grup kriminal, që akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale  nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Hetimi nisi fillimisht nga policia e Kavajës dhe më pas u zbulua se se një grup personash, banorë në disa qytete të vendit, vepronin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, si dhe dispononin pasuri të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga pastrimi i parave të pista.

Gjatë hetimit po ashtu ka rezultuar se pjesëtar të këtij grupi kriminal kryenin edhe vepra penale të tjera, si korrupsioni në sektorë të publik të ndryshëm, si hipotekë, polici, bashki dhe në institucione të tjera të administratës shtetërore.