Opinione Laiciteti dhe shekullarizimi i shkollave dhe morali laik

Laiciteti dhe shekullarizimi i shkollave dhe morali laik

Nga Aleksandër Xhuvani

Botuar më 1933

Laiciteti e ka burimin e vet në ligjët republikane të Francës të shpalluna në 1881-1882, prej të cilavet duelën si rezultat tri parime themelore për rregullimin e arsimit filluer në Francë: detyrimi shkolluer, të dhanët falë të mësimit ose gratuiteti dhe laiciteti i tij. Shumë kohë përpara kësaj date arsimi filluer në Francë nuk rregullohej krejt mbas këtyne parimeve: detyrimi shkolluer, që ishte caktue me ligjë qysh prej vjetëve 1791-1794, prej trubullimeve të mbrendshëme politike, mbeti nji shkres’e vdekun deri më 1871, kur, mbas luftës franko-gjermane, nisi të vihet në veprim, por edhe atëhere çalthi e jo pa përjashtim. Gratiuteti, sado që caktohej me ligjë gjithë në vjetin 1791 dhe, mbas intervalesh monarqike, figuronte në ligjë edhe më 1848, por mbasandaj erdhi tue u çfuqisue, dhe u-mbajt nji farë gratuiteti relativ, që herë ishte i rrebtë, herë i butë në zbatim; kjo ngjante ndër shkollat e Komunavet, se ndër shkollat e Kongregatevet fetare ishte në fuqi rregullisht “ la rétribution scolaire” d.m.th. se në këto shkolla mësimi nuk jepej falë, por me pagesë për të pasunit dhe pa të tillë për të vobegët. Mirë po kjo punë i ndante nxânësit në dy klasë shoqënore dhe fuste përçarjen në mes të tyne.

Në qarkoret e inspektorëvet t’arsimit filluer të vjetëvet 1833 e 1879 përmendje se ndër shkollat e Komunevet dhe mâ fort n’ato të Kongregatave nxânësit e vobegë ndaheshin me kujdes prej atyne që paguejshin e se mësimi i dhanë të vobegëve nuk ishte i plotë dhe nji me atë t’atyne me pagesë; në disa shkolla Kongregatash ndaheshin krejt klasët e të pasunve prej atyne të vobegëve dhe të parët kishin mësim e mësues mâ të mirë se ata të dytët.

Sa për laicitetin, ky ishte nji gjâ krejt e panjoftun; qysh në kohë të Perandorisë së parë shkollat e Shtetit në Francë kishin karakter fetar dhe qëndrojshin nën drejtimin e naltë t’auktoritetit fetar, tue u-kërkue prej mësuesvet, para se t’emnoheshin, nji çertifikat të sjelljes së mirë të lëshueme prej priftit të vendit. Inspektimi i shkollavet prej auktoritetit fetar edhe mësimi i besimit ishin nji pjes’e pandame e arsimit filluer deri më 1880.

2- Laiciteti i arsimit dhe Jules Ferry

Kjo ndodhje e punëve t’arsimit botuer, e papajtueshme me idealin demokratik e me qytetnimin e ri dhe e rrezikshme për Shtetin, i bâni me mendue qeveritarët e atëhershëm të Francës për me e riorganizue krejt arsimin filluer në bazat e patundshëme të detyrimit shkolluer, të gratuitetit dhe të laicitetit. Më 20 të Jenarit 1880 Jules Ferry, ministër atëhere i arsimit, paraqiti në Parlament dy projekt-ligja, njenën mbi gratuitetin absolut t’arsimit filluer dhe tjetrën mbi detyrimin shkolluer dhe mbi laicitetin e tij. Raportat e Komisjonit parlamentar mbi këto projekt-ligja ndërmjet të tjerave thoshte edhe këto: “Me anë të suprimimit të lândëvet fetar prej arsimit botuer, sigurohet lirija e ndërgjegjës së nxânësvet, ajo e prindit dhe e mësuesit. Me detyrimin shkolluer u kujtohet ndjenja e detyrës etënvet të familjevet, që ishin tue u-bâ të pameritueshëm për kët emën. Nëpër gratuitetin rranjoset qysh prej shkollës ndjenja e gjithënjisisë qytetare. Me anë të laicitetit të trupit mësimuer arsimi botuer lihet në dorë funksjonarësh që nuk do t’i binden veçse ligjës civile dhe nuk mirrshin urdhëna veçse prej të parëvet të tyne hierarqikë. Tue u organizue Këshillet arsimore të qarqevet dhe inspektimi i arsimit filluer fati i këtij arsimi vihet ndër duer me të vërtetë t’auktorizueme dhe kompetente”.

Mbi aprovimin e këtyne projekt-ligjëve u-bânë bisedime të rrebta e të gjata atëhere si në Dhomën e deputetëve ashtu edhe në Senat prej oratorësh të ndryshëm nga të dy palët, nga republikanët e nga kundrështarët e tyne. Por mbi të gjithë këta u-dalluen, si për dijen e fellë të çashtjeve, si për argumentacionin e rrebtë, Paul Bert-i dhe mâ fort Jules Ferry, i cili si Ministër i arsimit dhe si Kryeministër gjatë kohës ç’prej 20 të Jenarit 1880 deri më 16 të Qershorit 1881, kur u shpallën ato ligjë, nuk prani tue mprojtë ato tri parime themelore t’arsimit filluer, deri sa fitoi aprovimin e tyne.

Ideja kryesore që rrjedhë prej ligjëratavet dhe shkrimevet të Jules Ferry-t dhe të shokëvet të tij âsht se arsimi dhe edukimi âsht nji punë e Shtetit, âsht nji punë publike. Mbassi arsimi âsht nji gjâ për interesën e përgjithshëme, duhet të jetë objekti i kujdesjeve të papreme të Shtetit, të vetmit ruejtës të çdo gjâje që mundet me qenë për dobi të shoqënisë njerëzore. Shteti duhet me e organizue arsimin; dhe në qoftë se e duron gjâkundi nji farë lirije, duhet t’a vigjëllojë këtë.

Kundërshtarët thojshin se Shteti nuk duhet ta quejë veten sovran në çâshtjet e arsimit, por duhet të marri parasysh disa fuqi, fenë dhe familjen. Por Jules Ferry përgjigjej: me qenë se Shteti kujdeset për interesën e përgjithshëme të shoqënisë, ai duhet të caktojë formën e arsimit tue marrë parasysh vetëm kët interesë të shoqënisë, trupi dhe ideali i së cilës âsht ai vetë. Prandaj i lirë në fushën e tij Shteti nuk ka veçse të organizojë arsimin si mbas natyrës së vet. Cila âsht kjo natyr’e vet? Pavarsija prej çdo fuqije të huej, mâ fort prej auktoritetit fetar, prej të cilit duhet të ndahet Shteti, që të mund të qëndrojë e të mkâmbet vetë. Shteti pra âsht laik, civil, i shekullarizuem, d.m.th. i çliruem nga çdo lidhje, nga çdo marrëdhanëje me ndonji fuqi fetare, sido e kushdo qoftë kjo; e mbassi âsht laik, civil, d.m.th. i lirë prej çdo pengimi fetar, âsht i gjithfuqishëm; këtë e quen Jules Ferry «sovranitetin e fuqisë civile» ose «shoqëninë moderne». Ky sovranitet shtrihet edhe n’arsim, që âsht nji pun’e Shtetit dhe duhet me qenë laik, civil sikurse edhe Shteti.

Sa për të drejtën e familjes, âsht e vërtetë – thotë Jules Ferry e Paul Bert-i – se prindi përpara Shtetit ka nji të drejtë të natyrshme mbi fëminë, por kjo e drejtë nuk âsht absolute, se, porsa të dalë fëmija prej duervet të babës, kujt do t’i përkasi, i kujt do të jetë ky? Natyrisht i Shtetit dhe jo kurrë i auktoritetit fetare. Me pasë qenë e drejta e natyrshëme e edukimit të fëmisë një nga detyrët thjesht morale, që s’kanë të bâjnë ose kanë të bâjnë fort pak me interesën e përgjithshëme të shoqënisë, atëherë kjo e drejtë s’kishte me pasë kundrështime. Por, sikurse u-tha mâ nalt, mësimi dhe edukimi âsht nji pun’e Shtetit; pra nuk duhet marrë para sysh interesa e atit të fëmisë, vullneti ose teka (kaprici) e tij, por interesa e përgjithshëme e shoqënisë. Kur interesohet Shteti për fëminë, për ta mprojtë kundra brutaliteteve të babës, për t’ja sigurue pronësin’e njij trashëgimi, kur ndërhyn ligja, d.m.th. Shteti në shumë çâshtje të familjes, kuptohet vetiu se Shteti do të kujdeset edhe për mësimin dhe edukimin e tij, të cilat do t’i organizojë mbas interesavet të veta, d.m.th. mbas interesës së përgjithshëme të shoqënisë, që âsht edhe interesa e veçantë e babës së fëmisë.

* * *

3- Shekullarizimi i shkollavet dhe morali laik

Shteti pra – thoshte Jules Ferry dhe shokët e tij – âsht përfaqësuës’i vërtetë i kombit, interpreti i vullnetit të përgjithshëm dhe ai vetëm ka të drejtë të vigjëllojë arsimin dhe ta rregullojë mbas ligjëvet të veta. Asht nevojë për të mirën e Shtetit që fëmijt e çdo klase shoqënore të përzihen bashkë në bankat e shkollës nën emblemën e shênjtë të flamurit komtar. Asht nevojë – thojshin ata – që nji Shtet, ku besimet e popullit janë të ndryshme, të themelohet nji shkollë, ku mësimi i dhânë prej laikëvet të ndahet prej fesë: prifti në kishë, pastori në tempullin e tij, rabini në sinagogë (hoxha, kishim me thânë nâ, në xhami) le t’u mësojnë fëmijvet fen’e prindëvet të tyne; por mësuesi në shkollë nuk duhet t’u japi fëmijvet veçse nji edukatë komtare, të përbashkët për të gjithë fëmijt e kombit.Tek-sa ndër faltoret e ndryshme çohen zane e predikohen fjalë, që mbjellin përçarjen e zîhjen dhe mëninë ndër shtetasit e njij vendi, shkolla e Shtetit, shkolla laike, duhet të jetë për fëmijt nji tempull bashkimi të zemravet dhe vllaznimi, ku asnji kumbim i grindjes e përçarjes fetare që mbretnon jashtë nuk duhet t’i trubullojë ndërgjegjët e tyne as t’u përçajë bashkimin vllaznuer.

Si mbas këtyne parimeve Jules Ferry shkrini gjithë fuqin’e tij për t’organizue arsimin botuer në gjitha gradët e tij dhe mâ fortë atë filluer, tu e bâ të detyrshëm dhe pa të holla për të gjithë fëmijt e kombit dhe tue nxjerrë jashtë mësimin e fesë, që mësohej deri atëhere detyrimisht ndër shkolla. Shkolla pra u-shekullarizue dhe në vend të mësimit të fesë, që do të mësohej mbaskëndaj prej priftit jashtë shkollës, u-fut mësimi i moralit laik.

Ky farë morali âsht i shkoqun prej fesë; madje nji moral i ndamë prej fesë – thojshin laikët – ka qenë edhe âsht; qysh motit e kanë kallzue dijetarët se ka nji moral që ecën e përparon bashkë me njerëzit. Idetë morale lejnë prej provës së njerëzisë, sikurse duelën së parit prej mendjes së njeriut. Mbassi morali âsht rregulla e marrëdhânjevet që kanë njerëzit ndër vedi, kuptohet se rregulla që caktojnë këto marrëdhânëje duhet të dalin prej natyrës vetë njeriut. Në Kongresin ndërkomtar mbi edukatën morale që u mbajt në Haye më 1912 Buisson-i dhe Seailles-i e provuen se mbundet me u-bâ nji mësim moral pa farë baze fetare. Nji moral që t’u përshtatet fëmijvet e çdo race dhe besimi nuk mund të jetë veçse laik. Moralit laik, nuk i mungojnë idetë që edukojnë shpirtin dhe drejtojnë sjelljen e njerëzvet; ai ka mbrenda iden’e të drejtës dhe atê të detyrës shoqënore, shtefninë (dignité) e personës njerëzore.

4- Ç’do me thânë me qenë laik

Por ideja laike në Francë u forcue mâ tepër nga vjetët 1901 e përtej, në kohë të Ëaldeck-Rousseau-it, kur me çâshtjen Dreyfuss-it u-përtëri prapë lufta kundra klerikalizmit; dhe atëhere shumë dijetarë e politikanë si Anatole France-i, Clemenceau-i, Goffroy-i, etj. muerën të mprojnë idenë laike, mbi të cilën janë shkrue shumë, por le të marrim vetëm disa prej këtyne shkrimeve, që i përkasin përkufizimit të fjalës. Fjala laik e dalun, si dihet, prej greqishtes, ka pasë së parit, si nga shekulli i 17-të nji farë kuptimi të ngushtë: nder fjalorët përkufizimi i saj ka qenë së parit vetëm nji mohim: “laik âsht, ai që nuk âsht as eklesiastik (i kishës) as fetar”. Por mbasandaj fjala u-përhap mâ gjânë tue u-lidhë me ide, me nji filosofi, me nji moral, me nji ideal. Kështû Ernest Lavisse-i thotë: “Me qenë laik nuk do me thânë me e kufizue mendjen e njeriut në nji orizont të ngushtë, as me ja ndalue me vëzhgue të hyjnueshmit; nuk do me thânë me përbuzë, me lëndue e ngucë ndërgjegjën që iu mbahet besimevet të vjetra, por me ua mohue fevet të drejtën e qeverimit të njerëzisë që mban e rron gjithëmonë. Me qenë laik nuk do me thânë me i pasë mëni kësaj e asaj feje, po me luftue fanatizmin fetar, që ka shkaktue e shkakton kaqë të liga, vrasje, dhuna e shkatërrime. Me qenë laik do me thanë mos me e lânë mendjen t’u-shtrohet dogmavet të pandryshueme, as me i dhânë armët përparave gjânavet që s’kuptohen: por me i çelë arsyes kredi të pakufizueme vëzhgimesh, me shpresue prej kësaj nji dritë të ré, mos me mbetë në padijën e tashme…”

Mbas M. Maurellet-it, nji inspektori t’arsimit, “shpirti laik âsht shpirti i vëzhgimit të lirë; âsht ai që në të kërkuemit e të vërtetës dhe në të përsjellunit në jetë nuk pshtetet veçse në vetëdijën e n’arsyen e nuk i përulet veçse auktoritetit të tyne. Ky shpirt e ka burimin në ndjenjën e fellë të shtefnisë njerëzore. Pavarnija dhe veprimi i pareshtun i mendjes, çiltërija, mendja e matun dhe e ulët, të duruemit, besimi në përparimin dhe vullneti i patundun për me e realizue, të ndjekunit pa-prâ të njij ideali të drejtënisë, të paqës e të lumnisë, këto janë shenjat dalluese të shpirtit laik. Do të jeni pra laikë, në qoftë se, tue e kuptue mirëfillit se çdo përparim i bâmë në fushë të mendjes e të moralit âsht vepra vetëm e arsyes dhe e vetëdijës, do të shtini nën kontrol të këtyne dyve çdo mendim dhe çdo besim; në qoftë se, sikurse thotë Descartes-i, do ta mirrni për të vërtetë atê që mendja juej do ta njofi fàqeza për të tillë; në qoftë se, me nji fjalë, për çdo gjâ do të formoni vetë nji vetëbindje t’uejën. Dhe keni për të qenë edukatorë me të vërtetë laik, po qe se tue i shtimë në veprim me mendje të hollë ato që qeujmë methudha aktive, d.m.th. methudhat që fusin në punë gjithë forcat e gjalla të mendjes e të zemrës, keni për t’i mësue nxânësit t’uej si me mendue, si me arsyetue, si me gjykue, po qe se keni me i ndifë vetëdijës së tyne, po qe se keni me fuqisue vullnetin e tyne, po qe se, me nji fjalë, do t’i bâni të zott me mendue e me veprue ata vetë….”

“MINERVA”, 1933