Sport Lajm i mirë për Vllazninë, sponsori i njohur nënshkruan marrëveshjen me bashkinë...

Lajm i mirë për Vllazninë, sponsori i njohur nënshkruan marrëveshjen me bashkinë e Shkodrës

Pas dy vitesh mjaft të suksesshme si presidenti i klubit të basketbollit Vllaznia, drejtuesi i kompanisë AlbaPhoto Shpk, Alban Xhaferri është gati të japë tashmë kontributin e tij për të rikthyer te rezultatet e suksesshme edhe klubin e futbollit.

Zyrtarisht Xhaferri ka më tepër se dy muaj që ka shfaqur interesin për të marrë drejtimin e klubit të futbollit, madje duke i dërguar edhe një letër publike bashkisë Shkodër, në të cilën ndër të tjera premtonte se do të bënte Vllazninë konkurruese për titull brenda një periudhe 3-vjeçare.

Megjithatë pas një heshtjeje të zgjatur, më në fund bashkia e Shkodrës, në cilësinë e pronares së klubit të futbollit Vllaznia, ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje me kompaninë “Albaphoto”, nën administrimin e zotit Xhaferri.

Bëhet fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi, sponsorizimi dhe partneriteti mes palëve, me synimin për të rikthyer skuadrën e futbollit Vllaznia në nivele konkurruese në Superligën shqiptare dhe për të konsoliduar rezultatet dhe administrimin e ekipeve të Akademisë Vllaznia.

Tashmë firmat mbi kontratë janë hedhur si nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, në cilësinë e drejtueses së institucionit që ka pronësinë e Vllaznisë, ashtu edhe nga Alban Xhaferri, që mund të nisë menjëherë angazhimin e tij në klubin e futbollit.