Sport Laporta: Në 2003-shin mora Ronaldinjon para Cristiano Ronaldos dhe s’pendohem

Laporta: Në 2003-shin mora Ronaldinjon para Cristiano Ronaldos dhe s’pendohem

Joan Laporta, ish-president i Barcelonës dhe aktualisht kandidat kryesor për të rimarrë këtë post, në një intervistë të gjatë për “Iniestazo”, ka zbuluar disa prapaskena në lidhje me transferimet që ka bërë kur ishte në krye të klubit katalanas.

“Sapo kishim marrë Ronaldinjon dhe Rafa Markezin. Agjenti i Markezit më sugjeroi të merrja edhe një djalosh të ri, i cili quhej Cristiano Ronaldo, që në atë kohë luante me Sportingun e Lisbonës”, – është shprehur 62-vjeçari. Laporta pohon se blerja e Ronaldinjos eliminoi çdo mundësi për të transferuar CR7 në “Camp Nou”.

“M’u afrua Mendes dhe më tha: ‘është një lojtar që e kam shitur te Mançester Junajitd për 19 milionë, po ta lë për 17 milionë’. Por ne kishim investuar te Ronaldinjo. Në atë kohë Cristiano luante më shumë në krah se në qendër. Menduam se me investimin që kishim bërë për brazilianin, ishim të kompletuar. Dhe nuk pendohem për zgjedhjen që kam bërë”, – tregon më tej me detaje Laporta.