Sport Laporta zbarkon në stërvitjen e Barçës: Le të bëjmë një tjetër përmbysje...

Laporta zbarkon në stërvitjen e Barçës: Le të bëjmë një tjetër përmbysje në Paris

Barcelona përballet të mërkurën me Paris Saint-Germain në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, katalanasit do të provojnë të përmbysin rezultatin në Paris, pas humbjes 4-1 në “Camp Nou”

Joan Laporta është tashmë president i Barcelonës. Pas fitores së tij të pakontestueshme në zgjedhjet e së dielës, i shoqëruar nga ai që do të jetë nënkryetari i tij sportiv, Rafa Yuste, drejtuesi i ri i lartë i klubit katalanas ka shkuar në “Ciutat Esportiva Joan Gamper” për të përshëndetur lojtarët e ekipit të parë dhe trajnerin Ronald Koeman.

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale e bëri shumë të qartë gjatë fushatës se qëllimi i tij kryesor në muajt e parë do të ishte inkurajimi i ekipit në funksion të përfundimit sa më mirë të sezonit aktual. Në verë, kur të hapet merkatoja, do të ketë kohë për të analizuar prurjet dhe largimet e mundshme. Tani për tani është koha të jetë pranë blaugrana-ve, t’i mbështesë të gjithë lojtarët për pjesën përmbyllëse të sezonit.

Laporta ka planifikuar të udhëtojë me ekipin në Paris dhe të bëjë debutimin e tij si president në “Parc des Princes”. Pasi njohu rezultatin e zgjedhjeve, të cilat nuk lanë vend për diskutime, presidenti i ri ishte i qartë: “Ne do të ruajmë dinjitetin në Ligën e Kampionëve”. Përmbysja e disavantazhit 4-1 është shumë e komplikuar, por jo e pamundur. Laporta nuk dëshiron ta humbasë shpresën.

Në votime mori pjesë edhe ylli argjentinas, i cili votoi së bashku me djalin e tij. Pas fitores presidenti i Barcelonës u shpreh se duke parë Messin në votime, përforcon më tepër tezën e thënë gjatë gjithë kësaj kohës, se ai e do Barçën dhe mund të qëndrojë.

“Tani le të shkojmë në Paris dhe të shohim nëse mund të bëjmë një tjetër përmbysje”, u shpreh Laporta.

Laporta pasoi Josep Maria Bartomeun, i cili dha dorëheqjen në tetor të 2020. 58-vjeçari rizgjidhet president për herë të dytë pas 10 vjetësh, nga eksperienca e mëparshme midis viteve 2003-2010

Detyra e Laporta do të jetë rindërtimi i një klubi në krizë, me borxhe dëmtuese të përkeqësuar nga pandemia dhe Messi duke konsideruar largimin falas kur kontrata e tij skadon këtë verë.

Laporta afroi në “Camp Nou” yllin brazilian Ronaldinho dhe ish-sulmuesi kamerun Samuel Eto’o në punën e tij të parë si president, nën drejtimin e Pep Guardiolës, Barcelona fitoi Ligën e Kampionëve dy herë, katër tituj të La Ligës dhe Copa del Rey.