Sport Largim gratis nga Barcelona? Ja klubet e mëdha që po tentojnë Messin

Largim gratis nga Barcelona? Ja klubet e mëdha që po tentojnë Messin

Stuhia është gati të shpërthejë mbi qiellin e Barcelonës. Pas debatit mes Erik Abidalit dhe Lionel Messit, e mërkura ishte një ditë qetësie, ditë dialogu, në përpjekje për të bërë “paqe”. Presidenti Bartomeu ishte në Bruksel, por që para kthimit me urgjencë në Barcelonë filloi që ta qetësonte situatën. Ai foli fillimisht me Messin dhe më pas me Abidalin. Me këtë të fundit ka zhvilluar një takim që zgjati më shumë se dy orë, por francezi vazhdon punën, pasi nuk ka as shkarkim dhe as dorëheqje të tij.

Ditët e frikës

Megjithatë, te Barcelona këto janë ditët e frikës. Edhe pse janë të gjithë të bindur se Messi nuk do ta braktisë klubin, ku bën pjesë që prej vitit 2000, por te katalanasit situata fillon të trazohet, në “Camp Nou” mund të ndodhë gjithçka. Dashuria e Leos për klubin dhe qytetin, si dhe komoditeti i një jete spektakolare, tashmë janë përballë disa çështjesh më pak romantike. Humbjet me Romën dhe Liverpulin në Europë, pamundësia për të ndërtuar një skuadër kompetitive, ikja e Nejmarit dhe më pas dështimi për rikthimin e tij, për të ardhur deri te largimi i trajnerit Valverde e te përplasja me drejtorin sportiv Erik Abidal… Janë të gjitha çështje që, duke shtuar edhe klauzolën që e lejon Mesin të largohet gratis në verë, bëjnë të mendohet për ndarjen e argjentinasit me katalanasit.

Kush mund ta marrë Messin?

Pyetja që shtrohet në këtë moment është: kush do ta marrë Messin? Sigurisht, klubet që ia lejojnë vetes të mendojnë për afrimin e mundshëm të 6 herë fituesit të “Topit të Artë” janë pak. Duke përjashtuar destinacionet ekzotike, të pasur, por jo kompetitivë, para së gjithash në skenë del Manchester City, që drejtohet mga mentori i tij, Pep Guardiola, ose kushërinjtë e Manchester United, përveç PSG-së së mikut të tij, Neymar, që vetë Messi donte ta merrte symbyllurazi, verën e kaluar.

Hipoteza, por shumë më pak të mundshme janë edhe Juventusi, që e ka treguar se mund të bëjë edhe “blerjen e pamundur”, por edhe Interi, që ka një kolos financimi si “Suning”. Në çdo rast, nuk bëhet fjalë vetëm për një transferim futbollistik. Për të marrë Mesin duhen financat, një strategji e qartë dhe globale marketingu dhe një merkato e fuqishme.

Këto janë vetëm mundësi, që mund të shndërrohen në diçka më shumë, nëse marrëdhënia e Messit me mjedisin blaugrana nuk përmirësohet. Nëse në fund të sezonit trofetë nuk arrijnë, atëherë do të duhet të fillojmë të shqetësohemi dhe të konsiderojmë seriozisht një ndarje të paimagjinueshme deri disa javë më parë.