Aktualitet Largimet nga puna, shteti shqiptar paguan për 3 administrata

Largimet nga puna, shteti shqiptar paguan për 3 administrata

Shkarkimet nga puna të pambështetura në ligj vazhdojnë të rëndojnë buxhetin e shtetit duke prekur shifra marramendëse.

Vetëm në 5 vitet e fundit,  shteti ka paguar mbi 100 mln euro për këtë kategori.

Për të stabilizuar situatën, ekspertët sugjerojnë ndryshime në ligj, ku titullari do të mbajë përgjegjësi për firmën që vendos për pushimin e punonjësve.

Taksapaguesit shqiptarë janë të detyruar që të paguajnë  tre administrata paralele për shkak të largimit të punonjësve në mënyrë të paligjshme.

Eksperti i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, e konsideron këtë fakt shumë abuziv pasi janë mbi 100 milionë euro, të cilat shkojnë pagesa për këto largime në një kohë që mund të transformoheshin në investime për ndërtimin e spitaleve  dhe shkollave.

Është një shkelje e të drejtave kushtetuese të individit, është një cënim i familjeve, njëkohësisht është një kosto tërësisht e panevojshme mbi taksapaguesit shqiptarë. Vijmë te një situatë absurde në të cilën janë tre administrata paralele, dy efektive dhe një tjetër në pritje“, thotë Zef Preçi.

Për të zgjidhur këtë problematikë, e cila përsëritet sa herë ndryshon pushteti politik, ekspertët kërkojnë që titullarët që firmosin largimin e punonjësve të mbajnë përgjegjësi për çdo punonjës.

Të detyrohet të dëmshpërblejë titullari qoftë ky dhe Ministër kur ndërmerr veprime të paligjshme. Ndërkohë do të ishte që të hiqet dorë nga praktika e unifikimit të pagesave duke injoruar përvojën, duke injoruar rangun apo pozitën që zënë në administratën publike“, vijon Preçi.

Nga të dhënat e Spending Open Data  në 4 vite numërohen 13.475 transaksione nga thesari i shtetit si shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna.

Mes Ministrive, ajo që ka numrin më të lartë të transaksioneve është Ministria e Mjedisit dhe Turizmit me rreth 466 të tilla, e ndjekur nga Ministria e Bujqësisë me 79, Ministria e Energjitikës dhe Transporteve me 66 trasaksione,  e Mbrojtjes me 61 dhe Shëndetësia me 56.

Transaksionet për largimet nga administrata (total 13.475)

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit 466 348 mln.

Ministria e Bujqësisë 79 58.2 mln.

Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës 66 90.4 mln.

Ministria e Mbrojtjes 61 72.3 mln.

Ministria e Shëndetësisë 56 40.1 mln.

Ministria e Brendshme 48 81.3 mln.

Ministria e Financave 47 31.4 mln.