Sport Largohet Löw, nuk do të jetë më trajner i Gjermanisë pas Europianit

Largohet Löw, nuk do të jetë më trajner i Gjermanisë pas Europianit

Joachim Löw do të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës kombëtare të Gjermanisë pas Kampionatit Europian që do të zhvillohet këtë verë.

Konfirmimi vjen nga vetë Federata Gjermane e Futbollit, përmes një njoftimi zyrtar. Në njoftim thuhet se ka qenë vetë trajneri që ka kërkuar të mbyllë para kohe marrëveshjen me Federatën, një vit para afatit të parashikuar. Kështu, trajneri kampion bote nuk do të drejtojë skuadrën në Kupën e Botës të vitit 2022.

“E kam marrë këtë vendim me vetëdije, i mbushur me krenari dhe vlerësim, por gjithashtu vijoj të kem motivimin e duhur për Europianin”, tha trajneri. “Ishte një nder dhe krenari për mua të drejtoja skuadrën kombëtare të vendit tim dhe që kam punuar me lojtarët e ekipit kombëtar për 17 vite. Kemi kaluar triumfe të mëdha dhe dështime të dhimbshme dhe do të mbetem mirënjohës përgjithmonë ndaj Federatës”.

Löw u emërua fillimisht ndihmëstrajner i Jurgen Klinsmann që në vitin 2004, ndërsa pas largimit të tij drejtoi Gjermaninë deri në finalen e Euro 2008. Suksesi i tij më i madh mbetet fitimi i Botërorit 2014.