Bota Lavrov falënderon serbët për mbështetjen: Janë vëllezërit tanë!

Lavrov falënderon serbët për mbështetjen: Janë vëllezërit tanë!

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov vlerësoi serbët për mbështetjen ndaj Rusisë.

“Ne e respektojmë thellësisht popullin serb, kulturën serbe, historinë, përkushtimin e tij ndaj miqve tradicionalë dhe jemi të sigurt se ata do të vazhdojnë të bëjnë zgjedhje të zgjuara në këtë situatë”, tha kreu i diplomacisë ruse në një konferencë online me katër media serbe. “Ne shohim në Ballkan një përpjekje të SHBA për të imponuar hegjemoninë e saj”, tha Lavrov, duke shtuar se populli serb nuk mund të mbahet përgjegjës për vendimet e marra nga Serbia dhe lidershipi i saj.

Ai thekson se “Rusia nuk imponon asgjë me dhunë dhe shton se Perëndimi e bën këtë përmes shantazheve ekonomike dhe të tjera”.

“Kjo nuk është e mirë, nuk është mënyra për t’u sjellë në shoqëri apo në skenën ndërkombëtare kur të gjithë përpiqen të mbyllin sytë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka folur disa herë për këtë temë kur tha se Serbia ka interesat e veta. Ne e respektojmë thellësisht popullin serb, përkushtimin e tij ndaj traditave dhe miqve të tij historikë”, tha Lavrov.

Ai tha se i konsideron serbët dhe rusët si popuj vëllazërorë, të cilët i bashkon historia e përbashkët dhe fitoret kundër një armiku të përbashkët. “E shohim se sa shumë janë të rrënjosura këto ndjenja në shpirtin e popullit serb dhe në kujtesën e tij historike”, tha ai.