Ekonomi Legalizimi i kanabisit për mjekësi: Çfarë përfiton Shqipëria

Legalizimi i kanabisit për mjekësi: Çfarë përfiton Shqipëria

Ashtu si Greqia, Maqedonia e Veriut, apo Italia edhe Shqipëria po sheh mundësinë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ka qenë Kryeministri Rama, ai i cili gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Zonë e Lirë” tha se nga ana e qeverisë po shihen të gjitha mundësitë për lejimin e kultivimit vetëm qëllime mjekësore.

“Po e studiojmë këtë mundësi. Jemi shumë të avancuar, por ende nuk jemi në kapitullin e fundit. E kam fjalën për ligjërimin e prodhimit të kanabisit për arsye mjekësore. Sikur e kanë pothuajse të gjithë, disa e kanë më ta hapur, por jo, kaq”, tha Rama.

Sipas ekspertëve, nëse lejohet legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, Shqipëria do të përfitonte miliona euro nga fabrikat e përpunimit dhe prodhimi i ilaçeve.

Rajoni i Ballkanit, vendet që po e aplikojnë

Në Greqi e shikojnë biznesin e kanabisit për qëllime mjekësore si një mundësi mjaft të mirë për të përfituar ekonomikisht. Qeveria e Kyriakos Mitsotakis ka llogaritur që me dhënien e licencave për kompanitë e interesuara, do të investohen rreth 360 milionë euro si dhe do të krijohen 2250 vende pune.

Greqia e ka legalizuar kanabisin mjekësor në vitin 2017, ndërsa në 2018-ën hoqi një ligj që dënonte kultivimin dhe prodhimin. Fqinj tjetër lindor, Maqedonia e Veriut, ndryshoi legjislacionin e saj në vitin 2016, duke legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore.

Në Maqedoninë e Veriut llogarisin që të ardhurat nga ky biznes të trefishohen dhe në këtë kontekst ne kemi projektuar hyrje buxhetore në vlerë 100 milionë euro gati çdo vit.

Në rajonin Ballkanin, shteti i parë i cili vendosi të legalizonte kultivimin kanabisit për qëllime mjekësore ishte Kroacia në vitin 2015. Parlamenti vendosi që të shitej dhe të përdorej për trajtime mjekësore bima në farmaci.

Në Bullgari, lejohet që të kultivohet kanabisi për qëllime mjekësore, por me rregulla të rrepta dhe fermerët apo kompanitë duhet që të marrin licencë.

Shtetet e BE-së

Nga studimet e kryera rezulton se tregu europian i kanabisit do të kapë vlerën e 123 miliardë eurove deri në vitin 2028. Në vitet e fundit, perceptimi për kanabisin mjekësor në Bashkimin Evropian ka ndryshuar së tepërmi. Tani shtetet anëtare kanë një tjetër qasje sa i përket legalizimit, kultivimit dhe tregtisë së kanabisit mjekësor.

Gjithçka nisi në vitin 2017, kur Gjermania vendosi që ta legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore, e kjo pati një efekt bindës edhe te shtetet e tjera.

Portugalia, Danimarka, Polonia, Italia, Çekia, madje edhe Britania e Madhe që tani nuk është më pjesë e unionit ndryshuan rregullat e tyre në lidhje me kanabisin mjekësor.

Gjermania u ka dhënë disa kompanive licenca dhe e ka rritur cilësinë e kanabisit medicinal që mund të importohet. Ligjvënësit europianë po punojnë për ta harmonizuar procesin mes shteteve të BE-së.

Shtete si Malta, Greqia, Danimarka, Spanja, Portugalia dhe Izraeli janë të përgatitura për të prodhuar kanabis mjekësor me cilësi të lartë dhe janë gati për të eksportuar.