Kryesore “Legalizoni kanabisin si Kanadaja dhe Greqia, nxirrini trafikantët jashtë biznesit”

“Legalizoni kanabisin si Kanadaja dhe Greqia, nxirrini trafikantët jashtë biznesit”

Në një intervistë botuar sot në gazëtën Dita aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan Geri Kokalari hedh idenë e legalizimit të kanabisit në Shqipëri.

“Thjesht shihni ç’ndodh në mbarë botën. Kanadaja ka legalizuar kanabisin për përdorim rekreativ në baza kombëtare. Në SHBA, mbi 30 shtete kanë legalizuar marihuanën për përdorim mjekësor, 10 shtete e kanë legalizuar për përdorim rekreativ dhe është e mundshme që Nju Jorku dhe Nju Xhersi do të legalizojnë marihuanën rekreative në të ardhmen e afërt dhe vetëm këto dy shtete kanë një popullsi të kombinuar pothuajse prej 30 milionë njerëzish.

BE ka rreth nëntë vende anëtare që e kanë legalizuar marihuanën mjekësore, Luksemburgu ka legalizuar së fundi marihuanën dhe më shumë vende të BE po lëvizin në këtë drejtim. Por më e rëndësishme sa i përket Shqipërisë është që Greqia, një anëtare e BE-së, ka legalizuar marihuanën mjekësore dhe ka lëshuar disa licenca për kompanitë që të rritin kanabisin”, thotë Kokalari.

Ai thekson se një kompani amerikane nga Ohio po investon 15 milionë dollarë në Greqi për të kultivuar, përpunuar dhe eksportuar kanabisin mjekësor dhe industrial. 10 kompani të tjera, kryesisht nga Kanadaja dhe Izraeli kërkojnë të investojnë midis 10 milionë dhe 100 milionë euro secila në Greqi për të prodhuar kanabis dhe vlerësohet se investimi i përgjithshëm në kanabis mund të arrijë në 1 miliard dollarë brenda tre viteve të ardhshme.

“Vendet në Evropën Jugore, si Greqia, kanë mjedise ideale për kultivimin e kanabisit me shumë dimër të butë, shumë diell, krah pune të lirë dhe porte që sigurojnë qasje të lehtë në tregjet kryesore. Për këto arsye Greqia dhe Portugalia presin që të bëhen qendra e industrisë ligjore të kanabisit në Evropë. Analistët e njohur në këtë sektor vlerësojnë se tregu mjekësor i kanabisit në Evropë mund të kalojë 50 miliardë euro në shitjet vjetore.

Nëse Greqia mund të marrë pjesë në këtë industri në rritje të shpejtë, pse Shqipëria nuk mund të bëjë të njëjtën gjë? Shqipëria ka të gjitha burimet e nevojshme për të patur sukses në këtë industri që zotëron Greqia dhe Portugalia dhe tashmë ka reputacionin e të qenit kryeqyteti evropian i marijuanës ilegale. Pra, pse nuk duhet të bëhet Shqipëria kryeqyteti i kësaj industrie që lulëzon? Kjo mund të bëhet një nga industritë më të mëdha të Shqipërisë që punëson mijëra njerëz në një periudhë relativisht të shkurtër kohe dhe rregullimi i ligjëruar do t’i nxirrte trafikantët jashtë biznesit”, tha Kokalari gjatë intervistës për gazetën Dita.