Opinione Legjendat tona urbane!

Legjendat tona urbane!

Çfarë e bën bashkë DEKA-n, VEFA-n, Kopetentin, Vrasjen/vetëvrasjen e Mehmet Shehut; floririn, ,etj..?! Emëruesi i përbashkët është: konspiracioni.

DEKA– kompania e famshme e detergjenteve, përflitej se ishte krijuar nga bashkimi i gërmës së parë të “Djemtë Enverit Krenaria e Atdheut”. Të majtë dhe të djathtë, të rinj dhe të vjetër, vendas dhe emigrantë, politikanë dhe hajdutë, shkencëtarë dhe analfabetë, futbollistë dhe bastexhinj- pothuaj të gjithë ishin të bindur deri vonë (një pjesë edhe sot e kësaj dite) se DEKA nuk është krijuar nga shkurtimi i emrave të dy djemve të pronarit të biznesit. Aq shumë u përhap kjo përrallë/legjendë/konspiracion sa druaj se edhe vetë fëmijët e ish diktatorit në një moment kanë besuar se kanë një fabrikë në pronësi. Por ky konspiracion ja la radhën një tjetri edhe më të madh, edhe më fatal. Paratë ndërruan qarkullimin. Nga biznesin dhe bankat shkuan te piramidat. Ëndrra për t’u bërë milioner nuk shihej më vetëm natën, por edhe ditën për diell. Nuk ishin pak, por 1.600 mijë shqiptarë që i besuan përrallës: milioner pa punuar.

VEFA- ata që përjetuan periudhën e firmave piramidale kujtohen se për VEFA-n, krijesë të të ndjerit Vehbi Alimuça, flitej se ishte Veprimtaria Ekonomike e Forcave të Armatosura. Vetëm gjysma rezultoi e vërtetë. Gjysma tjetër “Forcat e Armatosura” u vetëshkërmoqën më 1997 si pasojë e revoltës që pasoi rënien e firmave piramidale. Vendin e personazhit kryesor të firmave piramidale e ka zënë Sudja, por ajo kishte edhe një shef të saj. Ky ishte….

Kopetenti: Në momentin që mbaruan paratë e fajdexhesësh së famshme Sude dhe njerëzit po pyesnin: paratë? Paratë kur do të vijnë…,përgjigja që i dedikohet asaj qarkulloi në Tiranë shumë kohë edhe pasi ajo ndërroi jetë: “këtë e di kopetenti”. Anarkia që përfshiu vendin mori jetën mijëra shqiptarëve, por shumë pak është folur dhe shkruar për to sepse vendin kryesor të medias dhe diskursit popullor e ka zënë një vrasje tjetër. (vetë)vrasja e shekullit.

Për vrasjen/vetëvrasjen e Mehmet Shehut janë shkruar artikuj, janë bërë reportazhe, intervista, emisione televizive, prononcime etj. Aq shumë është thënë e stërthënë për këtë histori sa është harruar edhe një detaj i vogël: Sa njerëz ka vrarë ky njeri? Debatit për këtë gjëmë ja ka kaluar vetëm diskutimi përbotshëm për floririn.

Floriri —është temë e preferuar sidomos në momente krizash. Blihen edhe pajisje kërkuese edhe sot e kësaj dite. Në gurin e Kamjes në zonën e Pogradecit, të tregojnë të gjithë për një gjerman që erdhi pas vitit 1990 në Shqipëri, mblodhi floririn dhe iku me helikopter. Të gjithë japin detaje, të përshkruajnë me hollësi edhe kohën që ka qenë atë ditë, por për fat të keq nuk gjendet askush që ta ketë parë me sytë e tij helikopterin, le më gjermanin.

Sot është më ndryshe, në epokën e internetit është shumë më e thjeshtë: këputja një postimi interesant, jep ca detaje, shkruaj në stilin sikur ke qenë prapa kurrizit të atij që ke vënë në shënjestër dhe…. brenda minutit ka lindur legjenda urbane?

Ja për shembull një e freskët: pse erdhi Knut Flankestein në Shqipëri? Pse është reporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian? Pse e kishte në axhendë të vinte? Jo, jo, jo. Ai ka ardhur se ka një të dashur në Tiranë. Tani gjithë diskutimi duhet përqendruar këtu: te gjetja e së dashurës. Mundësisht t’i vemë edhe një emër dhe … u kry!

Legjendat urbane/teoritë e konspiracionit nuk janë viruse që ndahen në linjë ideologjike, por një emërues i përbashkët gjendet tek gjeneratorët e tyre: përgjithësisht njerëz që nuk ja fërshëllen njeri, nuk i pyet kush, nuk i dëgjon kërkush e prapë nuk pushojnë së mobilizuari turmat… virtuale. Njerëz të divorcuar nga realiteti dhe që jetojnë me realitetin e sajuar prej tyre.

Në internet sot gjen gjithçka dhe ka boll informacion, “fakte”, “të dhëna”, “Linke” që provojnë teorinë tënde konspirative. Sigurisht që ka edhe mijëra e miliona fakte dhe të dhëna që provojnë të kundërtën, por kjo nuk ka pikë rëndësie.

Është tamam si rasti klasik i vrasësit në sallën e gjyqit: “ju mund të keni një dëshmitar që më ka parë në skenën e krimit, po unë mund t’u sjell 100 të tjerë që nuk më kanë parë”. Me vota i akuzuari për vrasje del i pafajshëm.

Imagjinata është ajo që ka shpënë njerëzimin përpara. Krijimi i një realiteti virtual, një fiction që nuk ekziston në realitet është instrumenti që çoi njerëzimin përpara. Ky është dallimi madh i homo sapines me botën e kafshëve. Imagjinata na çon përpara. Shpirti konspirativ është preshi që e bën atë të fluturojë.