Kryesore “Lehtësime me pikatore”, Rama paralajmëron me burg ata që do të shkelin...

“Lehtësime me pikatore”, Rama paralajmëron me burg ata që do të shkelin rregullat

Kryeministri Edi Rama në një video-mesazh në Facebook, u shpreh sërish se masat e marra në vendin tonë kanë bërë që sot të kemi situatën në kontroll dhe numrin e viktimave nga koronavirusi 17 deri më tani.

Ai ka falenderuar të gjithë qytetarët që janë treguar mirëkuptues dhe kanë rezistuar duke zbatuar rregullat, ndërsa tha se qeveria dhe grupi i tij po mendojnë që të nisin disa lehtësime për qytetarët që shkojnë në punë, por me pikatore.

Rama tha se po mendohet që të lejohet automjeti privat për të shkuar në punë, por ka paralajmëruar se mund të shkojë deri në heqje lirie për personin që do ta përdorë automjetin e tij privat për të transportuar njerëz të tjerë.

“Tani ne pa diskutim që bazuar në këtë ecuri pozitive kemi mundësinë të mendojmë për të liruar me pikatore disa masa, shkallë-shkallë, për të lehtësuar psikologjikisht në radhë të parë jetën tonë, por nuk kemi në asnjë mënyrë të drejtë dhe kemi detyrimin që të mos hedhim hapa të nxitur.

Unë dua t’ju them se nëse do zgjedhim siç po mendojmë dhe ua kam thënë të fillojmë të bëjmë disa lehtësime, patjetër do bëjmë dhe disa shtrëngime.

Nëse do lehtësojmë pak, do jemi të rrezikuar nga ata që nuk duan të kuptojnë dhe thyejnë rregullat duke kërcënuar kthimin në bomba, kështu që ne po konsiderojmë që duke lehtësuar fjala vjen fashën orare apo lëvizjen me automjet për punë të të gjithë atyre që janë në një punë që lejohet dhe nuk e kanë të mundur të lëvizin me automjetin e tyre private, atëherë duhet të rrisim fort sanksionet për ata që do ta shkelin hapësirën e kufizuar të lirisë, dhe duhet të shkojmë deri në heqje lirie për dikë që nëse merr një automjet për të shkuar në punë, e përdor automjetin e tij privat për të transportuar njerëz të tjerë.

Kjo është ajo që është në diskutim intensiv në shtabin tonë dhe duke dëgjuar me vëmendje ekspertët…“.