Bota Lehtësoi e para masat, Danimarka bën bilancin nga koronavirusi

Lehtësoi e para masat, Danimarka bën bilancin nga koronavirusi

Danimarka, vendi i parë në Europë që lehtësoi masat kundër koronavirusit, bëri me dije se përhapja e Covid-19 nuk është shtuar që nga nisja e zbatimit të rregullave të reja në mes të muajit prill.

Vendi nordik nisi rihapjen e qendrave ditore dhe shkollave për fëmijët e klasave të para deri në të pesta dy javë më parë, për t’u ndjekur më pas nga flokëtoret dhe bizneset e vogla në 20 prill. E gjitha kjo pasi numri i viktimave dhe të prekurve nga koronavirusi në vend filloi të binte.

Sipas të dhënave nga Instituti Shtetëror për parandalimin e sëmundjeve infektive, nuk ka asnjë shenjë që epidemia e Covid-19 ka përparuar. Shkalla e infektimit që një person i prekur me Covid-19 mund të kalojë te të tjerët vazhdon të mbetet nën 1.0.

Gjermania nga ana tjetër raporton se shkalla e infektimit në vend është kthyer në 1.0. pas masave lehtësuese që mori javën e kaluar.

Danimarka ishte një nga vendet e para në Europë që vendosi masa shtrënguese, deri në këto momente ajo regjistron 452 viktima të lidhura me virusin dhe tashmë numri i personave të shtruar në spital ka rënë ndjeshëm në prill.

Kryeministri Mette Frederiksen konfirmoi të mërkurën se përhapja e virusit është nën kontroll dhe se do të prezantojë masat e reja që do të ndiqen për hapjen përpara datës 10 maj.