Ekonomi Leku shqiptar shënon forcim surprizë kundrejt euros dhe dollarit

Leku shqiptar shënon forcim surprizë kundrejt euros dhe dollarit

193
0
Shpërndaje

Euro kushtoi 1.36 lekë më lirë në tregun valutor të martën në krahasim me kursin e ditës së hënë, ndërsa leku shqiptar u forcua me 1%, një ndryshim surprizë pas deklaratës për ndërhyrje të jashtëzakonshme nga ana e Bankës së Shqipërisë javën e kaluar. Kundrejt dollarit amerikan leku u forcua gjithashtu me afro 1.1%. Euro u shkëmbye mesatarisht për 127 lekë ndërsa dollari 107.6 lekë sipas kursit fiks që publikohet nga Banka e Shqipërisë.

Leku u dobësua me shpejtësi që nga e mërkura e shkuar, pasi shënoi kuotën më të fortë në dhjetë vjet më datë 5 qershor. Shqetësuar nga destabiliteti që po shkaktohej nga forcimi i shpejtë i lekut dhe duke e konsideruar forcimin si një problem psikologjik në treg, Banka e Shqipërisë deklaroi se do të ndërhyjë për të blerë eurot e tepërta “për të shmangur forcimin e mëtejshëm”. Por deklarata e BSH nuk bëri të ditur nëse synimi i ndërhyrjes ishte thjeshtë shmangia e forcimit të mëtejshëm apo kthimi i lekut në një kuotë më të lartë shkëmbimi kundrejt euros. Pas tre ditësh pune me rënie të shpejtë, leku u forcua të martën duke ndryshuar tendencë. Sot euro kushtoi 2.3% më lirë se sa rekordi shumëvjeçar i 5 qershorit, por vijon të jetë 5.2% më e lirë se sa një vit më parë.

Përmasat e ndërhyrjes së BSH në tregun e këmbimit valutor nuk dihen dhe është e pamundur të kuptohet se sa ndikim ka pasur vetë deklarata për ndërhyrje në krahasim me ndërhyrjen në tregun real.

Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg për pasojat që ka forcimi i lekut në stabilitetin makroekonomik të vendit. Një pjesë e shqiptarëve dalin të fituar nga forcimi i lekut ndërsa një pjesë tjetër dalin të humbur. Individët dhe kompanitë që kanë kredi në euro, tregtarët që kanë qira për të paguar në euro apo tregtarët që paguajnë mallra apo shërbime importi në euro janë përfitues. Por shqiptarët që kanë kursime në euro dhe që dëshirojnë të kryejnë shpenzime në lekë, bashkë me kompanitë që eksportojnë mallra dhe shërbime janë në rradhët e të humburve. Forcimi i lekut ka shqetësuar në veçanti sektorin e eksportit të veshjeve dhe këpucëve, të cilët importojnë lëndë të parë dhe eksportojnë produkte të gatshme ose gjysmë të gatshme në euro, por i kanë shpenzimet në lekë. Një biznes tipik i tillë ka vlerë të shtuar të paktë dhe një forcim sado i vogël i lekut u sjell pakësim të ndjeshëm të të ardhurave dhe fitimeve.

Shkaqet e forcimit të lekut janë të shumëdebatuara, ku disa parapëlqejnë hipotezën se ekonomia po ecën shumë mirë ndërsa disa besojnë se të ardhurat e bollshme nga eksportet e paligjshme të qarkulluara në ekonomi veçanërisht përmes sektorit të ndërtimit kanë sjellë tepricë të euros në treg dhe rrjedhimisht, forcim të lekut.

Shqipëria duket se përjetoi një shpërthim të prodhimit dhe eksporteve të kanabisit gjatë viteve 2016 e 2017, gjë që sugjeron se sasi të mëdha eurosh kanë mbërritur në vend nga ky aktivitet i paligjshëm. Qeveria e mohon duke thënë se ajo e ka luftuar drogën pa kompromis.

Banka e Shqipërisë argumenton se modelet e saj makroekonomike sugjerojnë që forcimi i lekut deri nga fundi i marsit, (kuota 132 lekë për euro), ka qenë rrjedhojë e “pritshmërive” të krijuara në publik mbi forcimin e mëtejshëm të lekut ndërsa forcimi i mëparshëm, (nga kuota 140 lekë në vitin 2016), ka qenë pasojë e fondamentave ekonomike, të tilla si llogaria korrente e vendit.

Pavarësisht shkaqeve të forcimit, luhatshmëri të tilla të forta në kursin e këmbimit për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria sjellin pasoja të mëdha negative dhe dëmtojnë objektivin themelor të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in