Sport Lerda: Fitorja për tifozët dhe presidentin, atmosfera e derbit më emocionoi

Lerda: Fitorja për tifozët dhe presidentin, atmosfera e derbit më emocionoi

Trajneri i Partizanit, Franco Lerda u shfaq mjaft i kënaqur për triumfin në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, teksa në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, ia dedikoi paraqitjen tifozërisë dhe presidentit Demi.

Një fitore e madhe, për më tepër në një deri të nxehtë. A mendoni se ky triumf ka ardhur në momentin e duhur?

Është e rëndësishme pasi duhej të bënim një figurë të bukur në derbi si për tifozët tanë, ashtu edhe për presidentin dhe të tjerët. Dhamë gjithçka në fushë dhe e merituam fitoren.

A menduat se mund të fitonit ndeshjen pas 20 minutave të para, kur Tirana po dominonte?

Vuajtëm pak në fillim, pasi nuk po arrinim të dublonim Malën në krahun e djathtë dhe kundërshtari po na rrezikonte, megjithatë erdhi goli që zhbllokoi ndeshjen dhe kthyem gjithçka në favorin tonë.

Asani e kapërdin me vështirësi zëvendësimin, a keni biseduar me të?

Nuk është e vërtetë, ndaj të mos bëjmë probleme që nuk ekzistojnë. Vendosa ta zëvendësoj, pasi më duhej pak më shumë forcë në mesin e fushës. Në fund të ndeshjes u përqafuam, ndaj nuk ka asgjë për të krijuar polemika.

Kjo ishte ndeshja më e mirë e Partizanit. A ishte kjo rastësi, apo fryt i punës?

Kemi pasur edhe ndeshje të tjera të mira, por na ka munguar rezultati, ndaj loja ka kaluar në plan të dytë. Sot fituam në derbi dhe jemi të gjithë të gëzuar, por nga nesër duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Më mirë me 3 apo me 4 në mbrojtje?

Do të shohim se si do të kemi gjendjen e futbollistëve, pasi fillimisht luajtëm me 3, por për shkak të dëmtimeve, u rikthyem te rreshtimi me 4. I kemi mundësitë t’i aplikojmë të dy rreshtimet, por duhet të vlerësojmë situatën ndeshje pas ndeshjeje.

Romero u shfaq mjaft mirë sot, a mund të luajë ai bashkë me Telushin?

Të dy mund të luajnë bashkë pa problem, por tani të gëzojmë për derbin dhe të bëjmë vlerësimet javë pas jave, duke parë se kush është më mirë për të luajtur.

Si u ndjetë me atmosferën në derbi?

Unë jam natyrë që i ndjej shumë situata të tilla dhe emocionohem, ndaj mu duk sikur luajta edhe unë sot. Më pëlqeu shumë atmosfera, koreografitë dhe gjithçka në këtë derbi.