Sport Lerda: Kemi analizuar ndeshjen e parë, në Baku provojmë kualifikimin

Lerda: Kemi analizuar ndeshjen e parë, në Baku provojmë kualifikimin

Takimi i parë ndaj Qarabagut tregoi se diferenca mes Partizanit dhe kampionëve të Azerbaixhanit nuk është aq e madhe sa u mendua në çastin kur u shortuan për të qenë kundërshtarë në raundin e parë kualifikues të Champions Leagues.

Sigurisht kjo nuk do të thotë se vështirësitë për të shkuar më tej janë reduktuar, megjithatë tani ka një fije shprese më shumë ka tek “demat e kuq”. Trajneri Franco Lerda sheh një skuadër plotësisht gati për duelin e Bakusë dhe me një besim të fituar nga paraqitja pozitive në “Selman Stërmasi”.

“Po jemi gati. Kemi edhe një stërvitje përpara se të nisemi për në Azerbaixhan, por them se deri tani gjithçka po shkon në mënyrën e duhur. E kemi analizuar ndeshjen, kemi parë rastet kryesore dhe lëvizjet që kemi kryer si në çastin kur topi ka qenë në zotërimin tonë, edhe në momentin kur atë e ka pasur kundërshtari. Kemi nxjerr konkluzione pozitive dhe kemi besim”, deklaroi Franco Lerda.

Tekniku italian nuk ka një notë specifike për ekipin, por është i kënaqur edhe pse ka hapësira për t’u përmirësuar, sidomos për lojtarët e afruar rishtazi.

“Jam shumë i kënaqur me skuadrën, por natyrisht ka pika ku duhet të përmirësohemi. Të ardhurit së fundmi ende nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë, por kur të kapin formën, atëherë do kemi disa armë më shumë”, tha italiani.

Hermetik në lidhje me formacionin, 54-vjeçari nuk zbulon asgjë, madje me një “nuk e di” fsheh edhe aktivizimin e mundshëm të Trashit nga minuta e parë.

“Të shohim nëse do të ndryshojmë diçka, pasi kemi ende ditë për ta përgatitur ndeshjen. Mund të them se do të luajnë ata lojtarë që do të kenë gjendje më të mirë, Trashi në formacion?! Nuk e di të shohim”, tha trajneri i “të kuqve”.

Qarabagu është ende favorit për të shkuar më tej, por kjo nuk do të thotë që Partizani të zbresë në “Dalga Arena” duke valëvitur “flamurin e bardhë”, përkundrazi për trajnerin kualifikimi është i mundshëm.

“Ne kemi besim, nuk mund të them që kemi shpresa të mëdha, sepse kjo duhet parë. Luajmë kundër një ekipi me buxhet 25 milionë euro, një skuadër që është mësuar me Kupat e Europës, dy herë ka qenë në grupe, por në futboll gjithçka mund të ndodhë”, tha Franco Lerda.