Extra Lërini fëmijët të zhgënjehen; e të mësojnë

Lërini fëmijët të zhgënjehen; e të mësojnë

Nga Darlena Cunha

“Mora një notë të keqe në provim,” me tha vajza ime shumë e mërzitur kur u kthye nga shkolla. Unë bëra sjelljen tipike të prindërve, duke shprehur zhgënjim dhe i ofrova ndihmë për të mësuar në provimet e tjera. Por a ishte ky reagimi i duhur?
Pse duhet që një fëmijë i vogël të mërzitet me prindërit, kur ata nuk i ndihmojnë të zgjidhin problemet që kanë? A nuk duhet që fëmijët të mësojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe të përjetojnë ndjenjën e zhgënjimit? Kjo është pak e vështirë për prindërit. Çdo prind kujdeset në mënyrë maksimale për fëmijën e tij dhe përpiqet me çdo kusht, ta mbrojë atë nga ndjenja e dështimit dhe e zhgënjimit. Por kjo nuk është mënyra e duhur si të rrisni fëmijën tuaj.

“Fëmija juaj shpeshherë ju thotë problemet që ka, por kjo nuk do të thotë që ju t’i tregoni që ai ka një hero që do ta mbrojë nga e gjithë bota. Përkundrazi duhet t’i tregoni që ka një mik që do ta këshillojë gjithë jetën për të marrë vendimet e duhura,” shprehet Eileen Kennedy Moore, një psikologe në Princeton.
Ndërsa David Palmiter, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Marywood, shprehet se prindërit shpeshherë bëjnë gjëra të gabuara nga dashuria e madhe që kanë për fëmijët e tyre. Sipas tij, ka disa mënyra që mund ta ndryshoni këtë gjë.

1- Duhet të keni besim të fëmijët tuaj
Palimiter thekson se ndjenja e besimit është thelbësore në çdo marrëdhënie. Fëmijët duhet të ndjejnë që ju besoni në aftësitë e tyre. Sipas tij, roli i prindit më shumë se sa kujdestar, duhet të jetë edhe një mik i mirë dhe i besueshëm.
2- Lërini të zhgënjehen
Zhgënjimet dhe ndjenja e dështimit janë një pjesë vërtetë e keqe, por janë pjesë e jetës. Ju duhet të lejoni që fëmijët të përjetojnë këto ndjesi në mënyrë që të rriten, duke kuptuar se në jetë ka edhe gjëra të vështira. Ju duhet t’i mësoni që të pranojnë dështimet dhe të kuptojnë gabimet e tyre.
3- Duhet të krijoni modele
Të gjithë psikologët në botë kanë treguar se fëmijët bëjnë atë çfarë bëni ju dhe jo atë që u thoni të bëjnë. Krijimi i një modeli është shumë i rëndësishëm për fëmijën tuaj. Nëse do t’i tregoni fëmijëve tuaj një model që është i aftë të pranojë dhe zgjidhë problemet, do të jetë ndihma më e madhe që i keni dhënë.
“Ka shumë gjëra të këqija në jetë dhe ne nuk mund t’i ndalojmë fëmijët që të mos i ndjejnë apo shohin ato. Ata duhet të përjetojnë zhgënjimin dhe dhimbjen, ndërkohë që ju duhet të jeni aty për t’i ndihmuar që të zhvillojnë aftësitë për të zgjidhur problemet që kanë,” tha Kennedy Moore.
*Darlena Cunha është një ish-producente televizive, e cila tashmë kujdeset për vajzat e saj binjake.