Kosova Letra e diplomatëve amerikanë trazon skenën politike në Kosovë

Letra e diplomatëve amerikanë trazon skenën politike në Kosovë

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe delegacioni i saj për bisedime me Serbinë u mblodhën të mërkurën për të diskutuar një platformë bisedimesh dhe letrën e zyrtarëve amerikanë që paralajmërojnë masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.

Udhëheqësit e institucioneve nuk komentuan takimin, ndërsa Shpend Ahmeti, njëri nga drejtuesit e delegacionit për bisedime tha se ka kërkuar “që mos ta lëmë njëri-tjetrin të vetëm në këto tema, nuk mund ta lëmë vetëm kryeministrin në këtë çështje, sepse presioni po shkon drejt te ai. Nëse marrim vendim bashkë ta mbajmë taksën të bëhemi të gjithë, e nëse vendosim ta heqim, të bëhemi të gjithë bashkë. Unë mbetem i bindur se kjo nuk rrezikon marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara”.

Një ditë më parë Kosova mori një letër të nënshkruar nga Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në të cilën shprehet keqardhja për refuzimin e deritashëm të Kosovës për të dëgjuar këshillat amerikane.

​Në letër mes tjerash theksohet se “Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikanë dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona“.

Në letrën e zyrtarëve amerikanë shpjegohet se për shkak të qasjes së Kosovës, është vendosur që të anulohet vizita e planifikuar e Gjeneralit(Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë dhe se do të shihen me kujdes “aspektet e tjera të bashkëpunimit”.

Garda Kombëtare e Iowas ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e mundësive vepruese të Forcës së Sigurisë së Kosovës shndërrimi i së cilës në ushtri është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por ka nxitur pakënaqësi tek një pjesë e aleatëve të NATO-s.