Politika “Lëvizin bandat më të fuqishme të rajonit”, Berisha: “Open Balkan” është i...

“Lëvizin bandat më të fuqishme të rajonit”, Berisha: “Open Balkan” është i hapur për krimin dhe drogën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar nismën ‘Ballkani i Hapur’, pjesë e së cilës është Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si një mundësi e hapur për krimin dhe drogën.

Duke folur në një bashkëbisedim me ekspertë dhe gazetarë për situatën e rendit publik në Shqipëri, Berisha tha se kjo aleancë aq sa përbën një problem të pamohueshëm për sigurinë kombëtare, aq problem edhe për rendin, sigurinë dhe luftën ndaj krimit.

“Në të gjitha problemet e një shoqërie, të një vendi, kombi, problemi i parë dhe më kryesor mbetet problemi i sigurisë, asaj kombëtare, ligjore, të rendit, jetës, pronës, veprimtarisë, të qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi.

Në shumë aspekte, ajo që është dëmtuar më rëndë, që është rrokullisur më shumë, që është shndërruar në një rrezik madhor, për qytetarin shqiptar, shoqërinë, kombin tonë, lidhet direkt me çështjet e sigurisë. Sot ne jemi një vend anëtar i NATO-s. Për definicion ne nuk mund të kemi kërcënime për sigurinë kombëtare, sepse aleanca ka traktatin, nenet e saj, por edhe zotimin së fundmi të presidenti Joe Biden, që një inç po u prek në territoret e vendeve anëtare të NATO-s, aleanca do të reagojë si një e tërë.

Ajo që është tejet shqetësuese është, një përpjekje e hapur e Edi Ramës, për të rreshtuar Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s me Serbinë, e cila në të gjitha kohërat që kur është bërë e pavarur deri më sot, është e njohur si Rusia e vogël. Në këtë kontekst më duhet të them se nëse duhet të ishte Shqipëria e para që duhet të kundërshtonte një projekt, është në fakt Kosova, qeveria e Kosovës që është shndërruar një nga faktorët kryesorë të gjysmimit të këtij projekti, apo shndërrimit të këtij projekti në një aleancë trelaterale Beograd-Shkup-Prishtinë.

Në të vërtetë kjo aleancë aq sa përbën një problem të pamohueshëm për sigurinë kombëtare, aq problem edhe për rendin, sigurinë dhe luftën ndaj krimit. Janë pikërisht në këtë aks, lëvizin, operojnë, bandat më të fuqishme të Ballkanit. Atje ishte Bjellivuku, këtu janë Bjellivukët e tjerë, por në një farë mënyre ‘Ballkani i Hapur’ është një Ballkan i hapur për krimin, drogën, për pasigurinë”, akuzoi Berisha.