Bota Lëvizja ‘Besa’ fiton Tetovën, Teuta Arifi pranon humbjen

Lëvizja ‘Besa’ fiton Tetovën, Teuta Arifi pranon humbjen

Kandidatja e Bashkimit Demokratik për Integrim për Komunën e Tetovës, Teuta Arifi ka pranuar humbjen. Arifi, e cila kërkonte një mandat të tretë, i ka uruar fitoren kundërshtarit të saj, Bilall Kasami, të Lëvizjes Besa.

“Dëshiroj të gjithë të falënderoj të gjithë votuesit. Ajo që kemi si rezultat sa i përket Tetovës, është se ne si BDI nuk kemi arritur të fitojmë. Ishte fushatë intensive, mirëpo si gjithmonë që kemi thënë, të fundit vendosin qytetarët. Ata kanë vendosur të kenë udhëheqje tjetër komunale. Ju dëshiroj sukses udhëheqësve të rinj të qytetit të Tetovës”, deklaroi znj. Arifi.

Pas konferencës për shtyp të Teuta Arifit, mbështetës të Lëvizjes Besa kanë dalë në sheshet e qytetit për të festuar. Kasami kryeson me gati 2500 vota duke bërë që BDI të humbë një prej komunave më të rëndësishme të saj.