Kosova Lëvizja Vetëvendosje nis mocion për rrëzimin e qeverisë në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje nis mocion për rrëzimin e qeverisë në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje nga sot ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për një mocion për rrëzimin e qeverisë së Avdullah Hotit.

Kjo u bë e ditur në konferencën e sotme të kësaj partie nga shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili tha tashmë kanë filluar me mbledhjen e nënshkrimeve.

I pyetur se a kanë mbështetjen e partive të tjera për këtë mocion, Selimi tha se shkresë u kanë dërguar partive opozitare, pa përmendur Partinë Demokratike të Kosovës me emër.

“Natyrshëm ua kemi dërguar këtë subjekteve dhe deputetëve opozitar. Po ashtu edhe shumë subjekteve tjera dhe grupeve parlamentare që kanë shprehur gatishmëri ose vërejtje ndaj qeverisë aktuale”.

Ndërsa kur u pyet se a presin mbështetje nga PDK dhe Lista Serbe ai dha përgjigje të ndryshme.

“PDK është subjekt opozitar. Në retorikën e tyre ne kemi parë që ata kanë qasje opozitare kundrejt Qeverisë aktuale. Ne presim që ata ti mbajnë fjalët e tyre dhe t’i realizojnë në veprime konkrete. Sa i përket Listës Serbe, jo nuk ju kemi drejtuar me shkresë as kërkesë. Ata janë partner qeverisës dhe nuk e kemi vlerësuar që duhet tu kërkojmë diçka të tillë në përputhje me qëndrimet e tyre”.

Kurse deputetja Arbërie Nagavci e quajti qeverinë aktuale “ilegale dhe ilegjitime”.

“Kjo qeveri është jokushtetuese dhe jo ligjore, ajo e ka dëshmuar tash se është e paaftë për të qeverisur vendin…. Kosovës i duhet një Qeveri që dëshmoi se mund të qeveriset me duar të pastërta“, tha Nagavci.

Kritika Vetëvendosje pati edhe për menaxhimin që kjo Qeveri po bënë me pandeminë Covid -19. Sipas deputetëve të VV-së vendi po shkon drejt një katastrofe humanitare.

Kujtojmë se në mars të këtij viti Qeveria “Kurti” ishte rrëzuar me ngritjen e mocionit të mosbesimit pikërisht nga LDK-ja, partneri i atëhershëm i saj, pas një seri përplasjesh me njëra-tjetrën.