Kryesore Lëvizjet te Bashkia e Tiranës/ Anuela Ristani shkarkon nënkryetaren e bashkisë, Sara...

Lëvizjet te Bashkia e Tiranës/ Anuela Ristani shkarkon nënkryetaren e bashkisë, Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi

Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani firmosi dy shkarkime këtë të premte.

Me një urdhër të firmosur prej saj, për shkak të kompetencave që ushtron përkohësisht, Ristani vendosi të shkarkojë nga detyra nënkryetaren e Bashkisë Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.

Goxhaj dhe Dokushi, njiheshin si dy prej njerëzve më të besuar të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj.

Në vend të Dokushit me urdhër të Ristanit është komanduar si Sekretare të Përgjithshme e Bashkisë së Tiranës, Jonida Halili. Kjo e fundit mbante detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.

Kujtojmë se nga qelia, Erion Veliaj firmosi urdhrin që mban datën 18 Mars për t’i deleguar kompetencat e drejtimit të bashkisë së Tiranës nënkryetares tjetër Sara Goxhaj. Kompetenca që vetë ai me një urdhër të datës 14 Shkurt të firmosur po nga qelia ia kishte deleguar Anuela Ristanit.

Por ky urdhër duket se nuk u mirëprit nga kryeministri Rama që mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar dhe një mbledhje me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës ku mësohet se e ka shprehur mospëlqimin e tij për këtë urdhër të Veliajt, duke njohur Ristanin për drejtuesen në detyrë të këtij institucioni.

Ndërkohë, Veliaj e shfuqizoi urdhrin duke rikthyer sërish Ristanin dhe foli për një “keqkuptim” për shkak të mungesës së komunikimit, pasi ndodhet në kushtet e izolimit.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj mbahet nën arrest që prej 10 shkurtit pasi është nën hetim bashkë me bashkëshorten dhe një grup biznesmenësh për pastrim parash e korrupsion.