Aktualitet Lexoni rregullat e reja për udhëtimet jashtë vendit, policia kthen 55 vetë...

Lexoni rregullat e reja për udhëtimet jashtë vendit, policia kthen 55 vetë në kufi

55 udhëtarë shqiptarë që kanë dashur të kalojnë kufirin për të udhëtuar jashtë vendit, janë kthyer nga autoritetet kufitare.

39 ndër ta janë kthyer në Rinas ndërsa të tjerët në pikat tokësore kufitare.

Sipas burimeve nga policia, të kthyerit nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara në urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit dhe me dyshimin se mund të kërkojnë azil në vendet e BE.

Shtetasit janë refuzuar bazuar në masat shtesë të përcaktuara në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhër i dalë në fillim të muajit gusht”,- tha Policia e Shtetit.

Burimet thanë se do t’iu refuzohet kalimi i kufirit të gjithë shtetasve shqiptarë që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara nën urdhrin e Haki Çakos, për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, pra nëse nuk kanë adresë të saktë akomodimi apo destinacioni, nuk kanë ftesë pritëse, si dhe mjete të mjaftueshme financiare.

KATËR KRITERET

Urdhri që ashpërson kriteret dhe masat në kufi është firmosur më datën 1 gusht 2017 nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe mban nr. 805, me numër protokolli 5792.

Mësohet se urdhri në fjalë është lëshuar pas ultimatumeve të zyrtarëve të qeverisë franceze ndaj qeverisë shqiptare, por edhe pas mesazheve e shqetësimeve që ambasadorja e Francës i përcolli direkt Drejtorit të Policisë së Shtetit gjatë takimeve me të në muajin korrik.

Kështu, sipas urdhrit të Drejtorit të Policisë, çdo shqiptar që kalon kufirin duhet t’i tregojë policit shqiptar adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë. Kriteri i dytë është ftesa që pritësit në vendin e destinacionit ku kërkohet që kjo ftesë të përmbajë kontaktet e pritësit.

Kriteri i tretë është bileta apo rezervimi i biletës për kthim në Shqipëri në momentin e paraqitjes apo të nisjes për të dalë jashtë shtetit.

Pika e fundit në katër kriteret e vendosura është ajo e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit. Kjo pikë ndonëse e papërcaktuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas një dokumenti zyrtar të ministrisë së Jashtme ka një vlerë konkrete.

Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli”, thuhet nga Ministria e Jashtme. Ndërkohë, mësohet se në rastet kur nuk paraqitet rezervimi i hotelit, qytetarit mund t’i kërkohet të ketë me vete shuma deri në 100 euro për çdo ditë qëndrimi në zonën Shengen.