Aktualitet Lezha, qarku me më shumë martesa, Tirana renditet e fundit

Lezha, qarku me më shumë martesa, Tirana renditet e fundit

Nga shumë analiza të kryera nga “Scan Inteligence Unit”, vihet re se pandemia ka ndryshuar shumë tregues dhe sidomos ato demografikë. Sipas të dhënave të “Vjetarit Rajonal Statistikor”, gjatë vitit 2020 vërehet një rënie e numrit të martesave. Gatë vitit të pandemisë janë regjistruar 17,473 martesa, nga 22,415 gjatë vitit 2019-të, duke pësuar një rënie kështu me 22%. Nga ana tjetër koeficienti bruto i martesave për viti 2020 regjistrohet në 6.2 martesa për 1,000 banorë, ndërkohë që gjatë vitit 2019 ky tregues regjistrohej në 7.9 martesa për 1,000 banorë.

Por si paraqitet koficienti bruto i martesave sipas qarqeve? Vlera më e lartë koeficientit bruto të martesave është arritur në Lezhë, me 8.0 martesa për 1,000 banorë, ndërsa vlera më e ulët është arritur në qarkun e Tiranës, me 5.2 martesa për 1,000 banorë. Lezhën e ndjek në renditje qarku i Dibrës, me 7.0 martesa për 1,000 banorë dhe Berati , me 6.9 martesa për 1,000 banorë. Koeficienti bruto i martesave, për qarkun e Lezhës, krahasuar me vitin 2019-të, ka rënë me 3.3 martesa për 1,000 banorë dhe është rënia më e lartë nga të gjithë qarqet. Nga ana tjetër, për Tiranën, ky tregues ka ndryshuar me gati 2.2 martesa për 1,000 banorë.

Numri më i madh i martesave për vitin 2020 është regjistruar në qarkun e Tiranës, me 4,739 martesa, megjithatë për këtë qark numri i tyre ka rënë me 17.6%, krahasuar me vitin 2019-të. Në të gjitha qarqet e Shqipërisë vërehet rënie e numrit të martesave, por rënien më të madhe e ka regjistruar qarku i Vlorës, me gati 32%, ndjekur nga Lezha, me 30,2%. Nga ana tjetër qarku me numrin më të ulët të martesave është qarku i Gjirokastrës, me 364 martesa, ndërsa rënien më të ulët e ka shënuar qarku i Korçës, me 15.1% martesa më pak në 2020-ën.

Pandemia jo vetëm ka reduktuar numrin e martesave gjatë 2020-ës, duke ndryshuar kështu planet e shumë çifteve të reja, por rrjedhimisht ka dëmtuar dhe shumë kompani të organizimit të eventeve.

Burimi: Scan Inteligence Unit