Aktualitet Libri “Komuniteti” i Isidor Kotit, sfidues i zhvillimit komunitar

Libri “Komuniteti” i Isidor Kotit, sfidues i zhvillimit komunitar

Nga Eno Barjami*

Në këtë libër, Dr.Isidor Koti ka sjellë një risi në botimet e karakterit sociologjik dhe një përmbledhje informacioni tashmë të domosdoshëm për lexuesin e këtij shekulli, mbi tematikën sfiduese të zhvillimit komunitar.

Përveçse një pune të mirëfilltë kërkimore dhe shkencore, autori është kujdesur që të sintetizojë teknikisht dhe qartazi thuajse të gjithë faktorët, normat, tipologjitë, çështjet strukturore, mënyrat dhe përfitimet, si dhe çdo aspekt tjetër të nevojshëm për ndërgjegjësimin dhe ndërtim-zhvillimin e komuniteteteve, në kuadër të dobishmerisë dhe qendrueshmërisë që garantohet përmes fuqizimit të tyre.

Ky punim i mirëstrukturuar dhe i pasur me ide praktike të shumëllojshmë, përveçse vlerës së një studimi të rëndësishem dhe dokumentimi koherent, e bën këtë libër të denjë për të qenë edhe një lloj ‘Manuali i Kulturës Komunitare’, ku secili individ i kësaj gjenerate mund t’i drejtohet për të gjetur pika të dobishme referimi prej së cilave mund të qartësojëmë tepër rolin dhe potencialin e tij individual dhe shoqëror.

Që prej paragrafëve hyrës deri në përfundim të kapitujve, na paraqitet një tablo e mirëpërcaktuar mbi ato çka mund të quhen pa hezitim ‘Vlerat Thelbësore të Komutiteteve’, vlera të cilat duket se mund të aksesohen dhe të përfitohen vetëm përmes ndërtimit të marrëdhënieve reciproke njerëzore. Duket se jo pa qëllim autori,që në fjalinë e parë të ketij libri ka deshifruar domethenien e vetë fjalës ‘Komunitet’, si një dyfjalësh që nënkupton një ‘Dhuratë të Përbashkët’.

Krejt logjikshëm, nisur nga sa më sipër, mund të hamendësojmë se‘dhurata’ mund të dhurohet vetëm nëse arrijmë të kemi ‘sensin e përbashkët’ të përkatësisë, jo si një ndjesi me baza kolektive por si një formë lirie dhe ndërvepruese në rrjetezimin shoqëror, ku gjithësecili në vend që të dëmtojë, ose që të lërë situatën në ‘mëshirë të fatit’, kontribuon natyrshëm dhe me përgjegjësi nga koha dhe energjitë e tij në këtë ‘Shtëpi të Përbashkët’. Nga ky transformim në mendimin tonë për t’i parë dukuritë më gjerë dhe veprimet shoqëruese të tij krijohen kushtet për sinergji (energji e përbashkët), nga ku të gjithë mund të përfitojnë dhe gradualisht të rrisin cilësinë dhe standartin e jetesës.

Kjo duket se është ‘Dhurata jonë e Përbashkët’, realiteti ynë natyror, ekzistenca jonë njerëzore nëpër hapesirat që ndajmë, ku duke ndervepruar shkëmbejmë mendime, ndjenja dhe përjetime, teksa rritemi në kuptim dhe vetëdijesohemi se jemi në fakt të ndërlidhur me njëri-tjetrin, tërthortazi apo drejtëpërsëdrejti jemi pjesë e një gjithesie të madhe që ndajmë.

Ashtu si në aspektin ekonomik, ku gjithçka fillon me vendimarrjen e vetë individit për të qenë aktiv dhe vijon me ndërveprimin e tij me të tjerë individë, edhe jetesa në komunitet kërkon thuajse të njëjtat forma aktivizimi dhe ndërveprimi.

Në një komunitet ku nuk ka ndërveprim konkret, nuk ka as komunitet të mirëfilltë!

Një individ i izoluar që nuk bashkëvepron nuk mund të gjenerojë të ardhura në ekonomi, nuk ofron dhe nuk kërkon çka s’përballon dot, sikurse nuk krijon asnje vlerë të shtuar në aspektin jetik dhe shoqëror, madje gjasat janë që të bëhet barrë për atë pjesë aktive të shoqërisë dhe institucioneve të saj. Ndaj, ndërgjegjësimi dhe promovimi i kulturës komunitare që paraqet ky libër mund të ndihmojë këdo që ka vendosur të jetë aktiv në jetën e tij dhe në organizimin e mjedisit ku jeton (që s’ka se si te jetë tjetër përveçse i një komuniteti të përbashkët,) dhe të përmirësojë kushtet e tij.

Shoqëritë e zhvilluara janë të tilla pasi kanë kuptuar më herët rëndësinë e komunitarizmit. Kanë aplikuar formulën ‘Bashkimi bën fuqinë’, por jo vetëm në teori. Komunitetet e zhvilluara janë përfshirëse dhe përbëhen nga individë të përgjegjshëm që krahas suksesit personal, të përkohshëm dhe pragmatik besojnë se ekziston edhe alternativa e sukseseve më të mëdha dhe afatgjatë,të cilat mund të arrihen më mirë dhe më lehtë nëse vëprohet së bashku, në familje, në punë, në lagje, në shoqëri…në komunitet.

Koncept tjetër mjaft domethënës i jetesës komunitare në këtë libër shtohet në faktin se kjo sinergji (energji e perbashkët) mund të organizhet pa mundime të jashtëzakonshme nëse individët vendosin që të përfshihen në jetesën komunitare për një qëllim të përbashkët. Qëllimi i përbashkët në këtë rast mund të krahasohet me ‘dritën në fund të tunelit’, e cila mund t’i shërbejë çdo individi, grupimi apo shoqërie si një objektiv konkret ose busull orientuese nga ku mund të planifikohet dhe organizhet veprimtaria e duhur për ta arritur atë.

Qëllimi i përbashkët, sikurse na paraqitet, nuk kërkon që të gjithë individët të mendojnë dhe të sillen njësoj, përkundrazi, diversiteti dhe larmirshmëria individuale, ku gjithësecili investon atë pjesë të vetvetes për një perspektivë afatgajatë, krijojnë kushtet për sinergjinë e nevojshme nga ku komuniteti merr jetë dhe ndërton një model pozitiv për gjeneratat në vazhdim.

Shumë mund të arrihet nëse njerëzit qëndrojnë të bashkuar në interesa të përbashkëta, ku secila palë del e fituar në terma afatgjatë dhe ku individët bashkëveprojnë të nisur nga qëllime pozitive. Kjo mënyrë jetese na bën të reflektojmë mbi rëndesinë e komunitarizmit dhe përkatësisë në të, por kjo mënyrë kërkon qartësisht punë në: përfshirje, angazhim dhe konsensus.

Ndaj,lipset sot nga ne si individë të kësaj epoke të re, pjesërisht virtuale dhe tejet dinamike, që së pari të rifreskojmë mendimin për të qenë të hapur ndaj ideve konstruktive dhe mjeteve të reja, të arrijmë të mësojmë prej përvojave të suksesshme nga komunitete të tjera (kjo ndoshta do na kursente shumë kohë,) të qartësojmë dhe zgjerjojmë botëkuptimin për jetesën në komunitet, jo thjeshtë se i ka ardhur koha, por si një fenomen ekzistencial që gjithmonë ka qenë i rëndësishem në historinë e qytetërimeve dhe që duhet punuar çdo ditë për t’u arritur sa më shpejtë. Kështu, të paktën do gjejmë arsye të forta për konsensus, për të pranuar dallimet midis njëri-tjetrit dhe të gjejmë mënyrat për t’i kapërcyer ato. Mund të jemi në gjendje të komunikojmë më hapur me njëri-tjetrin, të sillemi më natyrshem dhe të kemi qasjet e duhura efektive, të cilat na hapin rrugën për të arritur qëllimet e përbashkëta, teksa njëkohësisht formojmë një ndjenjë të përbashkët sigurie. A nuk mund të quhet kjo një dhuratë? Një bashkim përtej dallimeve kulturore, politike, fetare e më gjerë? A nuk do ishte kjo një mënyre jetese harmonike që do na kursente shumë kohë dhe energji? Duket se po.

Për të përforcuar konceptet e parashtuara në këtë libër nga Dr.Isidor Koti dhe për të përmbledhur më thjeshtë mendimet e mia mbi këto koncepte, po ndaj një pjesë përbërese të punës së autorit amerkian M. Scott Peck, mbi atë që ai e quan ‘Katër Fazat e Formimit të Komunitetit’. Bazuar në përvojën e tij si mjek psikiatër i angazhuar prej shumë dekadash në punë praktike dhe studimore mbi komunitetet, Peck pohon se ndërtimi i komunitetit zakonisht kalon nëpër katër faza:

Pseudo-komuniteti: Në fazën e parë, individët, të nisur nga qëllime të mira përpiqen të treguar miqësorë dhe të shoqërueshëm, por ata nuk sillen si të vërtetë dhe fshehin emocione. Ata përdorin përgjithësime të dukshme dhe fjali steriotipe. Në vend të zgjidhjes së konflikteve, në pseudo-komunitet dominon shmangia e konflikteve, por njëkohësisht mbahet pamja ose fasada e komunitetit të vërtetë. Në fokus qëndron synimi për të ruajtur emocione pozitive, në vend që të krijohen hapësira ​​të sigurta për ndershmëri dhe dashuri, qoftë edhe përmes emocioneve të këqija. Për sa kohë komuniteti gjendet në këtë fazë, individët nuk do të marrin kurrë vendimin për evoluimin ose ndryshimin e situatës.

Kaosi:Faza e dytë dhe hapi i parë drejt pozitivitetit real është (paradoksalisht,) një periudhë e negativitetit. Në momentin që nisin të ftohen marrëdhëniet e fasadës, rriten emocionet negative: Individët fillojnë të ndreqin frustrimet, shqetësimet dhe dallimet midis tyre. Kjo është një fazë kaotike, por Peck e përshkruan atë si një “kaos të bukur”, sepse kjo fazë paraqet shenjat e fillimit të rritjes së shëndetshme.

Zbrazëtia:Rruga përmes ‘kaosit’ drejt ‘komunitetit të vërtetë’ është nëpërmjet ‘zbrazëtisë’. Kjo është faza më e vështirë dhe vendimtare e zhvillimit të komunitetit. Kjo do të thotë se individët zbrazin veten kundrejt pengesave për komunikim. Pengesat më të zakonshme janë pritshmëritë e caktuara dhe paragjykimet, ideologjia, teologjia dhe zgjidhjet; nevoja për të shëruar, rregulluar, konvertuar ose zgjidhur; dhe nevoja për të kontrolluar. Faza e boshllëkut nxitet kur individët fillojnë të hapen dhe të ndajnë problemet e tyre, humbjet, dështimet, frikërat e tyre, në vend që të veprojnë sikur asgjë s’ka ndodhur. Prandaj, kjo fazë nuk do të thotë se njerëzit duhet të jenë “bosh” të mendimeve, dëshirave ose ideve, por një përpjekje të pandërgjegjëshme për të ruajtur vetëvlerësimin dhe emocionet pozitive. Kjo fazë duhet të shihet jo vetëm si një “vdekje”, por si një rilindje – e vetes së vërtetë në nivelin individual dhe në nivelin social, drejtë komunitetit të vërtetë.

Komuniteti i vërtetë: Duke punuar përgjatë boshllëkut të ‘fazës së zbrazëtisë’, me të mirat dhe të këqijat, individët hyjnë në një gjendje ndjeshmërie të plotë me njëri-tjetrin, duke u bërë më realist dhe më të lumtur. Ka një nivel të madh të kuptimit reciprok dhe të empatisë ku individët janë në gjendje të lidhen me ndjenjat e njëri-tjetrit. Diskutimet, edhe kur janë të nxehta, kurrë nuk arrijnë në konflikt dhe motivet nuk merren si të dyshimta. Por, edhe nëse lindin konflikte, kuptohet vetvetiu se ato janë pjesë e ndryshimeve pozitive. Përfitohet një nivel më i thellë dhe më i qëndrueshëm i lumturisë ndërmjet individëve, gjë që nuk vjen si pasojë e detyrimit por që lind natyrshëm. Përmes këtij mundimi dhe kësaj sakrifice formohet komuniteti i vërtetë.

Për ta përmbyllur këtë reflektim, do shtoja që në sajë të punës së tij akademike, por dhe përmes përvojës dhe aftësisë së tij profesionale të përditshme pranë komuniteteve, Dr.Isidor Koti na ka ofruar një ‘recetë’me përbërësit e nevojshëm për të krijuar një pikëpamje më të gjerë në ndërgjegjësimin mbi ndërtimin dhe zhvllimin e komunitetit tonë.

Me këto lloj njohurish praktike, të sintetizuara nga autorë të tillë, të cilët krahas njohurive akademike zotërojnë dhe aftësitë e duhura teknike dhe profesionale, ne mund të kalojmë më lehtësisht nga fazat e ‘Pseudo’, ‘Kaos’ dhe ‘Zbrazëtisë’ komunitare ku duket se aktualisht ne si një shoqëri në zhvillim bejmë pjesë, drejt ‘fazës së Komunitetit të Vërtetë’.

E rëndësishme është që të kuptojmë se njohuritë praktike, pa ‘praktikën’ rreshtin së qënuri ‘njohuri’. Ndaj, gjithësecili i detyrohet së paku vetes, (përpos familjes dhe mbarë shoqërisë) që të praktikohet për zhvillimin e tij, pa lënë mënjanë mjedisin ku jeton. Kjo duket se ka qenë dhe vazhdon të mbetet forma më e lartë e shprehjes së inteligjencës: Të qënurit një anëtar i vlefshëm i shoqërisë ku ti bën pjesë.

*Studiues i Shkencave të Mendimit dhe Sjelljes