Kulturë Libri në luftën e përkohshme për mbiekzistencë

Libri në luftën e përkohshme për mbiekzistencë

Nga Leonard Veizi

Kam pasur bindjen e patundshme, qoftë si një rekomandim hipotetik apo edhe të materializuar në mënyrë sporadike, se letërsinë a të lexuarit në përgjithësi mund ta fillosh nga të duash, me “Tom Sojerin” apo me “Aventurat e Çufos”, por nëse do të vazhdosh më tej, se të është mbushur mendja e kërkon një kualifikim më të madh brenda vetes, duhet të ulesh këmbëkryq për të lexuar thellësish dy autorë shekullorë: Shekspirin dhe Servantesin.

Në këtë përfundim kam arritur jo prej statistikave, axhanseve apo kritikave të vlerësuara si studime botërore, por thjesht nga gjurma që letërsia e tyre ka lënë tek unë. Dhe vazhdoj të them se pasi ke kaluar disa gurë kilometrikë, je njohur me letërsinë e lashtë greke, Homeri dhe Eskilin, ke kaluar nga “Ferri…” i Dante Alegerit, do të të duhet të ndalesh në këto vite të mesjetës ku janë shkruar disa nga kryeveprat e letërsisë botërore. Për më tej se kaq mund të vazhdosh pa problem me Gëten, Balzakun, Tolstoin, Dostojevskin, Dan Braun-in apo Holebekun. Sepse  thelbësoren tanimë e ke të arkivuar në një hard disc të paçmontueshëm nga njësia.

Shumë vite pasi isha “njohur” me të dy këta shkrimtarë, zbulova se çuditërisht Shekspiri në Stratford mbi Avon dhe Sevantesi në Madrid, në mos kishin vdekur në të njëjtën ditë, – në një distancë kohore vetëm prej pak orësh, – të paktën ishin varrosur në të njëjtën ditë; më 23 prill 1616. E pra, ishin vite të jashtëzakonshme për vetë Evropën ku, monarkia angleze bëhej gati të futej në shtjellën e revolucionit republikan të Kromuellit, ndërsa në Spanjë inkuizicioni vazhdonte me spastrimet e radhës.

Nuk di si mund të jetë vlerësuar vdekja e këtyre dy shkrimtarëve 400 vite më parë, por sot në kohën e kibernetikës, gjithkush prej nesh, si ata që e kanë lexuar letërsinë e tyre edhe ata që nuk ia kanë idenë fare, do të kishin postuar nga një status me kopertinën e “Makbethit”-s a “Don Kishotit…”  në facebook e instagram, shoqëruar me emoji të verdhë që lëshon një pikë loti, për ta cilësuar së fundi këtë ditë si një tragjedi botërore.

Tragjedi a dramë nuk po zgjatemi shumë në këtë pikë, se në të vërtetë edhe shkrimtarët vdesin. Pasi në ligjësinë e përbotshme ditët janë të kufizuara si për gjeniun ashtu dhe për një që ka probleme të shëndetit mendor. Por që dy shkrimtarët gjenialë, Shekspiri në Angli dhe Servantesi në Spanjë, të kishin një datë vdekje, kjo ishte thjesht një çudi, e cila 400 vjet më pas humbet dhe si kuriozitet.

Në vitet e modernizmit të tepruar, kur prej 1 janarit e deri në 31 dhjetor, çdo ditë e vitit ka një emërtim të veçantë, herë “Dita e Tokës”, e “Luftës kundër SIDA-s”, apo e “Parandalimit të kancerit të gjirit”, dikujt i shkoi në mendje që 23 prillin ta propozonte që të cilësohej si: Dita Botërore e Librit. Dhe kaq u desh që më 15 nëntor të vitit 1995 mbi një rezolutë të UNESCO-s të vihej vula.

Sot kemi një Ditë Botërore të Librit, kur në disa territore, përfshirë dhe Shqipërinë, libri është në një fazë mbi ekzistence.

Në luftën e re të librit letër me ipod-in duket se përparësinë e ka elektronika,  edhe pse propaganda përmes projekteve joqeveritare më së shumti, mundohet t’u bëjë të ditur njerëzve të thjeshtë, se libri fizik është i domosdoshëm në jetën e tyre.

Sot wikipedia, një faqe ku gjithkush mund të hedhë çfarëdo, ka zëvendësuar Enciklopeditë e Akademitë të Shkencave dhe Universiteteve më në zë të botës. Nga celulari brenda një kohe të shkurtër mund të informohesh se çfarë ndodh në Greqinë kufitare dhe në Zelandën e Re me të cilën thuajse nuk na lidh gjë, dhe pasi ke shpenzuar disa orë duke kërkuar në google dhe duke parë në youtube gjithfarë gjërash që lidhen me gafat njerëzore, si zor të të bjerë në mend të kapësh një libër me dorë dhe të lodhesh për të kuptuar se çfarë thuhet në të. Këto janë risitë e teknologjisë, dhe askush nuk mund t’i thotë stop. Por ndërkohë vetë libri, si ai artistik dhe ai shkencor dhe historik, ndodhet në udhëkryq.

E mes gjithë debatit të madh që është hapur prej vitesh, sot mund të themi se çështja me problemin e librit është fokusuar në Shqipëri e ca vende të tjera të këtij niveli, sepse në perëndim të Evropës e sidomos në vendet nordike, ky debat ka qenë më i përmbajtur. Sepse në këto vende, si me mjete elektronike dhe fare pa to, niveli i leximit ka pasur gjithmonë një përqindje të lartë. Dhe këtu ndikojnë shumë faktorë, ku më së pari kanë të bëjnë politikat ndaj një produkti kaq delikat sa ç’është libri.

Por të shpresojmë se kjo është një periudhë kalimtare dhe se njerëzit, si t’ia kenë nxjerrë zinë përfundimisht, celularit dhe ekraneve me projeksion 7D do t’i kthehen librit fizik ashtu si dhe 30-40 vite më parë, për ta bërë jetën më pak të ndërlikuar, por më solide njëkohësisht. Sepse leximi i librit fizik, me letër 60-70 gramshe e bojë offseti, nuk krahasohet me përqëndrimin mbi ekranin rezatues, ku të duhen veç filtrave prej xhami edhe syze hipermetropi.

Nuk duhet të na kapi paniku gjithsesi, se ndoshta në një të ardhme të afërt, nuk do ta kemi Bibliotekën Kombëtare. Sepse mjafton të kesh një ebook dhe mund të shkarkosh libra që janë shkruar që prej periudhës së “pllakave sumere” që na rrëfejnë se si në tokë zbritën Anunakët, e deri tek famozja Danielle Steel që shkruan historitë rozë të amerikanëve të Veriut.

Përleshja fizike mes artit dhe teknologjisë ka nisur hershëm që kur u mendua se fotografia do të zëvendësonte pikturën. Ca më vonë besohej se televizori do të eklipsonte kinemanë. Radio gjithashtu ka kaluar një periudhë të vështirë, por mbijetoi. Kjo do të thotë se në këtë hapësirë universale ka vend për të gjitha dhe vetë njeriu ka nevojë për to. Kështu që nuk ka vend për pesimizëm. Libri do të vazhdojë të lexohet, herë në letër e herë në format elektronik. Dhe kjo gjë me sa duket nuk do të përbëjë më asnjë rrezik.