Kryesore Liderët e BE, letër vendeve anëtare: Të hapen negociatat për Shqipërinë

Liderët e BE, letër vendeve anëtare: Të hapen negociatat për Shqipërinë

“Të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Kjo është kërkesa e krerëve të Bashkimit Europian, dërguar të gjitha shteteve anëtare. Në një letër të përbashkët, të firmosur nga Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, Presidenti në largim i KE, Jean Claude Juncke, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli dhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, e konsiderojnë këtë një zgjedhje strategjike dhe një test për aftësitë e Unionit për të mbajtur premtimet e dhëna. Krerët e BE-së theksojnë se Tirana dhe Shkupi kanë përmbushur kushtet për çeljen e negociatave.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë”, theksohet në letër.

Më tej, krerët e Bashkimit Europian theksojnë se do të duhet shumë punë për reformat që do vijnë më pas. Ndërsa theksohet se anëtarësimi nuk do të ndodhë brenda natës, dhe se për këtë Tirana dhe Shkupi janë të vetëdijshme. Letra e tyre vjen pasi Holanda shprehu zyrtarisht skepticizmin ndaj përparimit të këtyre dy vendeve në reformat e kërkuara. Gjithashtu edhe Franca kërkon që procesi i zgjerimit të pezullohet deri pas reformimit të thellë të BE-së.

Letra e plotë

Të dashur kolegë,

Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019.

Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Nëse BE vendos tani për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë në të ardhmen.

Bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e kësaj.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë.

Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësimi nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshme për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate.

Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet.