Shëndet Lidhja e ngushtë e koronavirusit me diabetin

Lidhja e ngushtë e koronavirusit me diabetin

Në qershor, Mario Buelna, një baba i shëndetshëm 28-vjeçar, pati temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen.

Ai i rezultoi pozitiv në testimin për COVID-19.

Disa javë pasi e kishte marrë veten, papritur ai u ndie i pafuqishëm dhe pati të vjella.

Pasi u shtrua në spital, mjekët u detyruan ta çojnë në kujdes intensiv, për ta shpëtuar nga koma.

Por ajo që i habiti më shumë mjekët dhe familjarët ishte diagnoza: diabet i tipit 1. Mario nuk kishte pasur kurrë më parë diabet.

Rasti në fjalë është vetëm një prej disave të tillë që kanë nxjerrë në dritë një lidhje të rrezikshme të Covid-19 me diabetin.

Shkencëtarët e mjekësisë në shumë vende të botës po studiojnë pikërisht këtë lidhje.

Ata mendojnë se Covid-19 mund të shkaktojë shfaqjen e diabetit edhe te të rriturit dhe fëmijët që nuk kanë faktorë risku.

Po ashtu, është vënë re te pacientët me Covid-19 se rastet me diabet janë më të rrezikuar.

Në korrik, statistikat në Amerikë tregonin se 40% e njerëzve që kishin vdekur nga Covidi kishin edhe diabet.

Në SHBA, Instituti Kombëtar i Shëndetit po financon një kërkim mbi atë sesi koronavirusi mund të shkaktojë rritje të nivelit të sheqerit në gjak dhe diabet.

Në raste të tilla, simptomat mund të përkeqësohen shpejt dhe të bëhen rrezik për jetën. Për shkak se kjo lidhje është kuptuar relativisht vonë, duhen studime më të thelluara për të kuptuar mekanizmin që vë në punë Covid-19.