Aktualitet Lidhjet e errëta të bandave të Elbasanin me politikën dhe një pakt...

Lidhjet e errëta të bandave të Elbasanin me politikën dhe një pakt sekret mes tyre dhe Bashës

Elbasani për më shumë se një javë është kthyer në qendër të vëmendjes mediatike-politike.

Gjithçka nisi nga përplasja mes policisë dhe një grupi kriminal pranë tregut ushqimor. Ndërsa një video që tregonte mos reagimin e policisë e nxehu më shumë debatin.

E ndërsa për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ngjarja e Elbasanit mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e një aktiviteti kriminal të kryer nga organizata të strukturuara kriminale, politika mendon të kundërtën.

PS dhe PD kanë nisur të ta kthejë këtë ngjarje në një kartë politike për të sulmuar njëra-tjetrën.

Të enjten në Parlament u zhvillua një betejë e ashpër mes Ramës dhe Bashës për bandat kriminale dhe grupet e drogës që po mbajnë peng Elbasanin.

Sipas opozitës, qeveria e majtë ka marrë në mbrojte grupin kriminal që ka si një nga aktorët kryesorë dhëndrin e Qazim Sejdinit.

Ndërsa sipas mazhorancës, historia e këtyre bandave nis që në vitin 2005 me bekimin e Partisë Demokratike.

Në këtë “betejë” kanë ndërhyrë edhe tre gazetarë.

Sipas gazetarit investigativ Artan Hoxha, bandat e Elbasanit që konkurrojnë mes tyre për tregun e trafikut të heroinës janë ndarë që prej vitit 1999 në dy kampe.

Kur në pushtet vjen PD-ja qytetin e marrin nën kontroll Çapjajt, ndërsa kur qeveria ndryshon kahje, atë e merr grupi i strukturuar në bazë të lidhjeve miqësore që ka në krye Suel Çelën dhe dhëndrin e Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktarin.

“Gjëja që e bën të veçantë Elbasanin, është fakti që çuditërisht, grupet kriminale që marrin nën kontroll qytetin, ndryshojnë sa herë që ndryshojnë interesat politike në Shqipëri. Pra, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike 8 vjet, kontrolli i qytetit të Elbasanit ka qenë kryesisht nga fisi Çapja dhe rrjeti shoqëror i tyre. Ka qenë një grup i fuqishëm, të cilët tashmë kanë biznese ilegale, kanë disa lloje biznesesh, por mes tyre është një kompleks i shërbimit social ku përfshihen restorante, hoteleri… dhe është kompleksi ku kanë qëndruar të gjithë kryeministrat e Shqipërisë. Ku qëndrojnë të gjithë politikanët kur shkojnë në Elbasan, ku qëndrojnë të gjithë personalitetet kombëtare që vijnë dhe luajnë në Shqipëri, sepse prej 4 vitesh Elbasani është bërë njëkohësisht dhe shtëpia e kombëtares. Ka qëndruar që nga Kristiano Ronaldo dhe merri me radhë të gjithë“, ka thënë Artan Hoxha në intervistën e dhënë për Tpz.al.

Ndërkohë gazetari ka përshkruar edhe grupin tjetër që fuqizohet kur në pushtet vjen e majta: “Grupi tjetër, rivali i Çapjeve, sipas informacioneve të policisë, drejtohet ose bashkëdrejtohet nga Suel Çela, i cili me sa di unë ka dhe një emër tjetër. Është një person i skeduar, i njohur për autoritetet e drejtësisë shqiptare, i dënuar për vepër penale me pasojë vdekjen, po për vrasje, dhe po ashtu personi tjetër i cili akuzohet që është bashkëdrejtues i grupit. Është shtetasi Sokol Sanxhaktari… i cili  në fakt është përplasur disa herë me drejtuesit e lartë të policisë të Elbasanit”.

Sipas Artan Hoxhës, ky grupim ndryshe nga Çapjajt nuk ka një lidhje familjare që ta mbajë të bashkuar: “Grupi tjetër, grupi rival i Çapjajve, në ndryshim nga Çapjajt, nuk ka si bazë të formimit të tij farefisin. Ai nuk ka lidhjet gjinore ose lidhjet e gjakut, siç e kanë tradicionalisht grupet shqiptare. Është një grup i cili ka më tepër lidhjet shoqërore. Pra nuk kanë lidhje gjaku, por kanë lidhje shoqërore. Politikanë, deputet drejtues të lartë policie, ministra, i kanë përdorur”.

Ndërsa gazetari Spartak Koka, deklaroi mbrëmë në emisionin “Byroja politike” në Abc News se në të shkuarën PD-ja ka mbështetur një nga grupet kriminale që veprojnë në atë qytet dhe se falë mbështetjes së tyre PD-ja, fitoi 2 palë zgjedhje në Elbasan.

“Një grupet kriminale të Elbasanit i është dhënë mbështetje nga Partia Demokratike. I është dhënë favorizim me anë të tenderave dhe kontrollimin e qytetit. Janë fituar dy palë zgjedhje në Elbasan nga ky grup kriminal. Kur ka qenë Basha në Elbasan i dërguar i PD-së në krye të listës është bërë marrëveshje me grupin kriminal që ka mundësuar fitoren e dy palë zgjedhjeve”, tha gazetari Koka.

Lidhjen e politikës me bandat e Elbasanit e ka konfirmuar edhe gazetarja kronikës në “News 24”, Klodiana Lala.

Gazetarja e kronikës në “News 24”, Klodiana Lala, deklaroi të enjten  në emisionin “Opinion” deklaroi se ekzistojnë disa përgjime që lidhin emra të njohur të politikës me eksponent të rrezikshëm të krimit.

Lala tha pavarësisht provave jo të plota që zotërohen, në disa dosje, dalin emra të disa politikanëve të rëndësishëm, megjithatë hetimet kanë mbetur vetëm në këtë fazë, pa shkuar më tej.

Me sa duket, janë ca përgjime sporadike që mbesin në këtë fazë dhe është tepër e vështirë për Prokurorinë për shkak edhe të konfliktit tepër të madh që ka me policinë”, tha Lala.

Ajo tregoi se brenda Policisë së Shtetit, ekzistojnë dy klane të fuqishme kriminale, që zhvillojnë një luftë të egër mes tyre.

“Duke pasur konflikte të kësaj natyre, emrat e politikanëve mbeten pezull në dosjet hetimore. Por ende nuk ka prova dhe fakte konkrete. Megjithatë ka biseda të përgjuara publike që i lidhin ata direkt me eksponent të krimit”, deklaroi Lala.

Pra, tashmë duket qartë se bota e errët të krimit në Elbasan ka fije të thella lidhjeje me politikën.