Bota Lidhjet mes çështjes Skripal dhe biznesmenit bullgar vazhdojnë të mbeten misterioze

Lidhjet mes çështjes Skripal dhe biznesmenit bullgar vazhdojnë të mbeten misterioze

Lidhjet e mundshme mes sulmit me helm të kryer në mars të vitit 2018 ndaj ish oficerit të shërbimeve të fshehta ruse, Sergei Skripal dhe helmimit të sipërmarrësit bullgar të armëve, Emil Gebrev, vazhdojnë të mbeten misterioze.

Sipas faqes “Bellingcat”, një lidhje e tillë ka të bëjë me Sergei Fedotov, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse GRU. Sipas faqes në fjalë, ai është Denis Sergev, një oficer i lartë i GRU-së, i diplomuar në Akademinë Diplomatike Ushtarake Ruse.

Ngjarja me Gebrevin dhe djalin e tij ngjalli mjaft interes në opinionin publik bullgar pas raportimeve të ndryshme se Fedotovi ishte i përfshirë në të dy këto sulme.

Por, në shkurt të këtij viti, rezultoi se teksa hetimi mbi çështjen e Gebrevit ishte pezulluar në prill të vitit 2016, ai ishte hapur sërish në tetor 2018, pasi Gebrevi i kishte shkruar prokurorit të përgjithshëm, Sotir Tsatsarov, ku i thoshte se dyshonte se ishte helmuar me një substancë që i përkiste grupit Noviçok, i njëjti helm i cili u përdor edhe gjatë rastit Skripal.

Në shkurt, Tsatsarovi arriti të konfirmoi faktin se Fedotovi kishte qenë në Bullgari në vitin 2015. Ai kishte mbërritur atje më 5 shkurt dhe ishte larguar më 22 shkurt. Më pas kishte ardhur sërish më 24 prill dhe ishte larguar më 28 prill dhe më tej, ai kishte ardhur sërish më 23 maj dhe ishte larguar më 29 maj.

Ishte data 28 prill 2015 kur Gebrevi filloi të ndihej keq gjatë kohës që ndodhej në një restorant të Sofjes. Gebrevi ra në gjendje kome dhe u trajtua nga mjekë ushtarakë për helmim nga një substancë e panjohur. Djali i Gebrevit dhe një drejtor i kompanisë së tij po ashtu shfaqën shenja helmimi në ditët në vijim, edhe pse këto shenja ishin më të lehta.

Analizat nuk kanë arritur të konfirmojnë identitetin e substancës që u përdor kundër Gebrevit. Tsatsarovi tha për mediat se asnjë nga elementet kimike të listuara në Konventën e Armëve Kimike nuk ishte gjetur në këtë substancë. Megjithatë, faqja “Bellingcat” ka cituar ekspertë që mësohet të kenë thënë se Noviçoku nuk është në këtë listë.

Në mes të muajit shkurt, në lidhje me këtë çështje u zhvillua një takim mes ambasadores britanike në Sofje, Ema Hopkins, kryeministrit Boiko Borisov, Ministrit të Brendshëm, Mladen Marinov, krerëve të shërbimeve informative përkatëse dhe prokurorit të përgjithshëm Tsatsarov.

Pas takimit, Marinov tha se po ndiqeshin disa pista hetimi. Ai tha se në kafenë dhe sallatën e Gebrevit ishin gjetur sasi të vogla lënde organike fosforeshente, por të cilat nuk mendohet të kenë qenë shkaku i përkeqësimit të gjendjes së tij si rrjedhojë e sasive të ulëta të tyre.

Pas takimi të zhvilluar më 11 shkurt Hopkinsi pohoi se autoritetet bullgare dhe britanike kishin bashkënuar gjatë muajve të fundit me qëllim zbardhjen e çështjes Gebrev. Disa ditë pas takimit mes autoriteteve britanike dhe atyre bullgare, burime të ndryshme pohuan se në Bullgari kishin mbërritur agjentë britanikë për të hetuar mbi rastin Gebrev.

Tsatsarovi ka komentuar se disa nga deklaratat e bëra në media në lidhje me çështjen Gebrev janë më shumë spekulime se sa fakte.

Por, që prej këtyre deklaratave dhe raportimeve të bëra në gjysmën e parë të shkurtit nuk pa pasur asnjë zhvillim të ri mbi çështjen në fjalë qoftë nga zyra e prokurorit, qoftë nga ndonjë organ tjetër shtetëror në Bullgari. Paraprakisht kanë filluar procedurat gjyqësore kundër një personi të paidentifikuar për akuzën e tentativës për vrasje, që do të thotë se nëse çështja shkon në gjyq, atëherë zyra e prokurorit do të bëjë një deklaratë të posaçme në këtë çështje. Deri atëherë, kjo çështje do të vazhdojë të vishet me mister.