Politika “Ligji i arsimit të lartë nuk preket”, Rama ka dhe një mesazh...

“Ligji i arsimit të lartë nuk preket”, Rama ka dhe një mesazh për pedagogët

“Ligji i arsimit të lartë nuk do të preket” Kryeministri e përsëriti tre herë këtë fjali gjatë përgjigjes së pyetjes së një gazetari në konferencën për median që u mbajt sot në kryeministri. Madje lëshoi dhe një paralajmërim për pedagogët që siç tha ai po mbledhin firmat për të prekur ligjin.

Edi Rama:Nuk ka asnjë arsye që ligji i arsimit të lartë të preket sot. Më e bukura është se nga të gjitha bisedat që kam bërë publike ose jo, deri tani nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt që këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka penguar ligji i arsimit të lartë, përkundrazi kam parë në vazhdimësi që shumë gjëra që kërkohen Ligji i arsimit të lartë i kërkon po ashtu. Kemi një boshllëk për të mbushur që është nga ligji tek ligjshmëria. Është njësoj si të thuash përderisa asnjë shqiptar trim nuk e vendoste rripin e sigurisë ligji nuk funksiononte dhe duhej të bënim një ligj tjetër.

Edhe një fjalë kam për pedagogët që mbledhin firma për të prekur ligjin e arsimit të lartë që është shumë e rëndësishme të ndajmë një herë pedagogët. Ka shumë pedagogë që janë heronj, por  ka dhe të tjerë që janë si ajo shprehja në atë filmin sa gjërat bëhen në emrin tënd o popull. Përpara sesa pedagogët të shkojnë tek  ligji është mirë që secili të provojë përputhjen e vet me ligjin sa i takon atyre që pretendon apo atyre që ai është, doktor… profesor.. i asociuar.. ligji nuk na pengon as për këtë… Prandaj ligji nuk ka asnjë arsye të preket”.