Ekonomi Ligji për Eurobondin, Meta jep pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë

Ligji për Eurobondin, Meta jep pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë

Presidenti Ilir Meta ka dhënë pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit për eurobondin, pas miratimit nga Kuvendi.

“Ditën e sotme jam njohur me sqarimet e Kryetares së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, dhe dokumentet zyrtare shtesë të paraqitura prej saj, të pa vëna në dispozicion në kërkesën e parë. Gjithashtu, jam informuar lidhur me faktin se, neni 3 i projektligjit, mbi autorizimin që i jepet ministrit të Shtetit për Rindërtimin, do të propozohet të hiqet në seancë plenare. Sa më sipër, pas vlerësimit të plotë të të gjithë praktikës dhe sqarimeve shtesë, Presidenti i Republikës jep pëlqimin e tij për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi”, lexohet në letrën e Presidentit.

Më tej, Meta shton: “Ritheksohet nevoja që Qeveria dhe Kuvendi, në nisma të tilla ligjvënëse, të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë që t`u lihet hapësira e nevojshme të gjitha strukturave apo institucioneve për shqyrtimin e tyre”.

Qeveria kërkon të emetojë në qershor një Eurobond me vlerë deri në 650 milionë euro dhe maturim 7 deri në 10 vjet.