Kryesore Ligji i ri: Cilat ndërtime pa leje do të përjashtohen nga legalizimi

Ligji i ri: Cilat ndërtime pa leje do të përjashtohen nga legalizimi

Shpërndaje

Në Kuvend tashmë ndodhet një projektligj i ri, që pas bashkimit të ALUIZNI-t dhe ZRPP (Hipotekën), synon t’i japë zgjidhje problematikave të pronësisë që nga ligji 7501, te legalizimet e deri të kompensimi i pronarëve.

Ligji parashikon që duke nisur nga viti i ardhshëm t’i jepet sërish një ritëm i ri procesit të legalizimeve dhe regjistrimit të titujve të pronësisë. Ndër të tjera, ligji parashikon se Agjencia Shtetërore e Kadastrës (struktura e re që krijohet) do të kryejë procedurat e kualifikimit të ndërtimeve pa leje.

E në këtë kontekst, ndërtimet pa leje që cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, territorin apo funksionalitetin e ndërtesave publike, integritetin e monumenteve të kulturës, territoret e destinuara për investimeve strategjike apo vijën bregdetare (në kuptim të interesit publik për zhvillimin e turizmit) do të përjashtohen nga procesi i legalizimit.

Objektet e ndërtuara pa leje por që nuk cenojnë kriteret e mësipërme, do të legalizohen.

Po ashtu, projektligji parashikon që për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, kriteret e mësipërme sjellin përjashtimin nga legalizimi vetëm për sipërfaqet në tejkalim të lejes së ndërtimit, kur ato janë të ndashme nga ndërtimi kryesor (ndërtimi me leje).

Në rastin kur këto sipërfaqe nuk janë të ndashme, objektet me shkelje të lejes së ndërtimit legalizohen në tërësi.