Aktualitet Linja e drogës Ekuador-Greqi-Shqipëri, policia jep detajet

Linja e drogës Ekuador-Greqi-Shqipëri, policia jep detajet

Policia e Shtetit ka sekuestruar në portin e Durrësit 137 kilogramë kokainë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, bëri publike në një deklaratë për mediat detajet e operacionit “Kuito”, i cili u zhvillua në bashkëpunim me partnerët grekë si edhe DEA-n amerikane.

“Policia Shqiptare organizoi dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019”, tha Veliu.

Dy persona janë vënë në pranga, 53-vjeçari Ardian Bega dhe 35-vjeçari, Altin Myslimhaka, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi G.M.

Sipas policisë këta dy persona ishin pritësit e lëndës narkotike. Duke qenë se kishin akses në hyrje dhe dalje në port, ata bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga policia gjatë operacionit.

Policia po vazhdon hetimet për të zbuluar personat e tjerë  që mund të jenë implikuar në këtë trafik droge. Ndaj të arrestuarve rëndon vepra penale “trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Origjina e drogës ishte nga Ekuadori, ndërsa vinte në Greqi dhe Shqipëri nëpërmjet rrugëve detare.