Sport Lippi: Dybala i duhet Juventusit. Conte duhet të luajë me 3 sulmues

Lippi: Dybala i duhet Juventusit. Conte duhet të luajë me 3 sulmues

Marcello Lippi, i cili është rikthyer në stolin e Kinës për disa muaj, dha një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”. Ndër të tjera ai zbulon se ka folur me Massimiliano Allegri në telefon. Më shumë se kaq, zbulon se trajneri livornez do të qëndrojë në vëzhgim gjatë gjithë sezonit, pas lamtumirës së papritur nga Juventusi: “Ai ishte i qetë, bëri gjëra shumë të rëndësishme te Juventusi. Do të pushojë një vit dhe pastaj do të kthehet”.

Lippi më pas mbron De Ligt, pas kritikave të shumta, që mori për debutimin kundër Napolit. Po ashtu, ka disa fjalë për Dybala: “De Ligt është një lojtar i shkëlqyeshëm, shumë i fortë. Sarri deshi ta aktivizonte gradualisht, sepse duhej të përshtatej me skemat e tij dhe futbollin italian. Por, lëndimi i Chiellini i përshpejtoi gjërat. Dybala? Isha i sigurt që do të qëndronte. Ai mund të luajë në të gjitha rolet e sulmit. Sulmues të tillë të shërbejnë mjaft, shikoni Liverpool-in”.

Gara për titullin në Serie A

Lippi bën prognozën e tij: “Interi dhe Napoli më duken gati për ta rivalizuar Juventusin. Këto tri skuadra janë qartësisht superiore në Serie A; me alternativa në të gjitha repartet. Veçanërisht Juventusi, i cili ka nga dy titullarë për një rol, si askush tjetër në Europë”. Sa i përket Champions-it, Lippi i sheh bardhezinjtë në radhën e parë: “Vitet e kaluara, Juventusi ka qenë në grupin e 4-5 favoritëve. Fituesi do të dalë nga këtu. Në radhën e dytë janë Interi dhe Napoli. Pastaj, detajet janë të paparashikueshme, edhe pse bëjnë diferencën në këtë kompeticion”.

Interi i Contes

Marcello Lippi foli gjerësisht edhe për Interin e ri të Antonio Conte. Sipas ish-trajnerit të kombëtares së Italisë, kampion bote me të më 2006, kolegu i tij zikaltër mund të ndryshojë modul loje së shpejti: “Unë mendoj se Antonio do të përfundojë duke luajtur me tre sulmues. 3-4-3? Pse jo? Ai e ka bërë këtë tashmë. Të kesh në dispozicion edhe Sanchez me Politano, është plotësisht e mundur”.

Për Lippin, Interi është një nga tre pretendentët për titull, së bashku me Juventusin dhe Napolin, por i frenon disa krahasime: “Godin, De Vrij dhe Skriniar si BBC (Bonucci-Barzagli-Chiellini)? Para këtyre krahasimeve, ata duhet të fitojnë diçka. Mund të bëhen në të ardhmen. Sensi është shumë i mirë; ka ide, ritëm, pozicionohet në mënyrë inteligjente, krijon lojë”.

Në fund, Lippi promovon largimin e Icardi dhe ardhjen e njëkohshme të Lukakut tek Interi: “Icardi? Ai duhej të ikte. Nuk po them më shumë. Mua më pëlqen me të vërtetë Lukaku. Ai ka forcë, fuqi, përulësi, thjeshtësi, shpejtësi”.