Aktualitet Lirimi i Çapjas, Prokuroria nuk tërhiqet: Kemi prova për fajësinë

Lirimi i Çapjas, Prokuroria nuk tërhiqet: Kemi prova për fajësinë

Viktima, Fadil Mema, dhe i akuzuari, Florenc Çapja

Prokuroria e Elbasanit nuk tërhiqet nga akuzat ndaj Florenc Çapjes, të cilit iu pushua çështja nga gjyqtari Tomor Kullolli i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Së bashku me njoftimin për apelimin e këtij vendimi, burime nga Prokuroria e Elbasanit, bëjnë me dije se kanë siguruar provat e nevojshme që vërtetojnë autorësinë e Çapjes në tentativën e vrasjes së ish-oficerit të policisë Fadil Mema në vitin 2006.

Madje, sipas organit të akuzës, provat ndikuan në rikualifikimin e veprës penale nga vrasje me dashje e mbetur në tentativë, në vrasje me paramendim e mbetur në tentativë.

Gjithashtu, burimet bëjnë me dije se ishin këto prova me të cilat Gjykata e Elbasanit dhe më pas ajo e apelit në Durrës, vendosën masat e sigurisë arrest me burg, ndërsa në momentin kur Prokuroria kërkoi Gjykimin e çështjes, gjyqtari Tomor Kullolli vendosi pushim e saj.

Në lidhje me këtë vendim reagoi edhe drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila ka shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj për lirimin e një nga drejtuesve të një organizate kriminale që operon në Elbasan.

Sipas reagimit të policisë, vendimi për pushimin e çështjes ndaj Florenc Çapjas u mor një muaj e gjysmë pasi Prokuroria kishte kërkuar gjykimin e tij. Tani i takon Gjykatës së Apelit të Durrësit për të vlerësuar ligjërisht pushimin e hetimeve ndaj Çapjas, ndërsa pritet që ky vendim të jetë objekt edhe i verifikimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.