Kryesore Lista e kandidatëve për deputetë, Meta: Sa më shumë pedagogë në Parlament,...

Lista e kandidatëve për deputetë, Meta: Sa më shumë pedagogë në Parlament, jo biznesmenë

Presidenti Ilir Meta u ka bërë sot thirrje partive politike që në listat e kandidatëve për deputetë të ketë sa më shumë pedagogë dhe të rinj. Nga Korça ku shpërndau disa dekorata për mësuesit e pedagogët, Meta tha se në Parlamentin e ardhshëm nuk duhen biznesmenët edhe pse shtoi se nuk kishte asgjë kundër tyre.

“Nuk kam asnjë koment për asnjë parti. Por ju lutem sa më shumë pedagogë dhe pedagoge, të rinj të arsimuar, sa më pak biznesmenë në Parlament. Jo se kam ndonjë gjë me biznesmenët, por është shumë e rëndësishme që në Parlament të ketë njerëz me integritet, figura të ndritura që e gjithë shoqëria të përfaqësohet siç e meriton në Kuvendin e Shqipërisë.

Është një moment kyç për të ardhmen e vend dhe e dimë që kryekushti është çështja e zgjedhjeve. Është një test që do ta kalojmë me hir dhe me pahir”, u shpreh Presidenti.

Më tej teksa u pyet se pse lëviz me pak siguri nga Garda e Republikës, tha se i mjaftonte vetëm shoferi.

“I kam kërkuar gardës mbrojtje minimale dhe nuk më duhen shoqërues përveç shoferit pasi siç e dini Presidenti edhe gjatë udhëtimit i duhet të punojë”, shtoi ai.

Meta bëri thirrje që edhe për të infektuarit me koronavirus të jepet mundësia për të votuar në 25 prill. Si shembuj ai mori Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“E drejta kushtetuese për të votuar prevalon mbi çdolloj pengese apo vështirësie. Ne e dimë që ky është një problem. Kosova ka bërë zgjedhje në kushte shumë të vështira, edhe Maqedonia e Veriut. Të gjejmë rrugën më taktike që edhe ruan shëndetin e qytetarëve, edhe u garanton të drejtën e votës”, përfundoi Meta.