Sport “Lista e zezë”, gati fshesa e Zidane te Reali: Ja kush do...

“Lista e zezë”, gati fshesa e Zidane te Reali: Ja kush do largohet

Zinedine Zidane, trajneri i të bardhëve, tashmë është i bindur se duhen patjetër ndryshime rrënjësore në grupin aktual. Po ashtu, francezi e ka në mendje profilin e lojtarëve, për të cilët ka nevojë. Merkatoja e verës do të jetë në dalje dhe në hyrje te galaktikët. Në mënyrë që të sigurohen përforcimet, është e nevojshme të shiten disa të tjerë. Kjo do të thotë se, në këtë mes, ka edhe “viktima”. Dhe kjo listë e spastrimeve, e njohur si “lista e zezë”, po kristalizohet përditë e më shumë.

Sipas portalit “El Confidencial”, uellsianin Gareth Bale e kap të parin “fshesa”. Në listë bëjnë pjesë edhe emra të tillë si Marcos Llorente, Ceballos, Reguilón dhe Mariano, si dhe njëri nga portierët: Andriy Lunin, ose Courtois. Aty mund ta gjejë veten, me dëshirën e tij, edhe mbrojtësi francez, Varane, i cili nuk është i kënaqur nga trajtimi financiar i klubit, apo Isco, që ka pasur pak mundësi aktivizimi këtë sezon.

Përveç këtyre spastrimeve, sipas të njëjtit informacion, Real Madridi ka nevojë të sigurojë të holla (nga shitjet) për blerjet e reja. Për këtë arsye, nuk do të ishte aspak çudi që të negociohet me të interesuarit edhe për emra të tjerë si Marcelo, Modric e Kroos. Ata janë mjaft të kërkuar në tregun europian të futbollit. “Listës së zezë” mund t’i shtohen edhe Kovacic, Odegaard, Raúl de Tomas dhe Borja, për të cilët trajneri Zidane nuk ka shumë interes që të kthehen nga huazimet.